Në kërkim të interesit shtetëror

Politikanët në Kosovë kanë arritur me sukses që debatin rreth proceseve në Kosovë ta ndajnë në dy grupe të njerëzve; ata që shohin bardh dhe ata që shohin zi. Një kualifikim i tillë përveç që është një reflektim i karakterit racist të këtyre personave, është dhe shprehja më e zakonshme që dëgjoj nga të gjithë ata që ose në mënyrë direkte ose indirekte janë pjesë e institucioneve qeveritare. Kjo shprehje në thelb është dëshmi e krizës në kulturën politike të partive dhe institucioneve, sepse ndryshe nuk po arrijnë t?i shohin kritikat. Kjo shprehje është dëshmia e dështimit të kuptimit të funksionimit të shoqërisë demokratike. Përderisa Qeveria reklamon dhe nxjerr në pah të arriturat dikush tjetër duhet që të bëjë të kundërtën dhe të nxjerr në pah të metat. Mungesa e një raporti të tillë është indikator për totalitarizëm ose autoritarizëm ku e vërteta absolute për proceset dhe kahjen e shoqërisë i takon vetëm shtetit.

Shoqëria Politike dhe ajo Qytetare i përplasin kuptimet dhe konceptet e tyre për proceset në mungesë të një mirëkuptimi fillestar për kahjen e shoqërisë. Mungesa e këtij mirëkuptimi konsideroj përbën shkas për krizën në kulturën tonë politike dhe në komunikimin e politikës me pjesën tjetër të shoqërisë. Ata që ishin të gjendje të jepnin jetën e tyre për të fituar lirinë, sot janë indiferentë ndaj përkushtimit për të mbajtur dhe avancuar këtë liri që kemi fituar. Përderisa miliona investohen në krijimin e ndërtesave luksoze për institucione qeveritare në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës ndalet ngrohja. Deputetët i rrisin pagat dhe privilegjet e tyre krahas 38% të qytetarëve që jetojnë në varfëri dhe përfitimeve të mjera të mjekëve dhe profesorëve të cilët konsideroj asnjëherë nuk kanë gëzuar respektin për angazhimin e tyre gjatë viteve të ?90 përkundrazi trajtohen me inferioritet nga disa deputetë.

Kosova duhet të përcaktoj interesat e veta shtetërore të cilat tejkalojnë ndarjet politike dhe filozofike. SHBA e cila ka shërbyer si model për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe për shqiptarët është sinonim i demokracisë ka të përcaktuar interesat e veta kombëtare. Një raport i vitit 2000 nga Komisioni për Interesin Nacional Amerikan përkufizon interesin nacional si kushtet që janë të domosdoshme për ruajtjen dhe avancimin ekzistencës së një shteti dhe mirëqenien në kushte të lirisë, sigurisë dhe pavarësisë së popullit të tij. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës me qëllim që edhe të arsyetoj investimin 5 milion Euro në krijimin e ndërtesës së tyre të re do të duhej të angazhohet në përcaktimin e interesave shtetërore të Kosovës. Ky institucion duhet të filloj një debat për identifikimin e interesave shtetërore të Kosovës të cilat do të ishin edhe udhërrëfyes për shoqërinë politike poashtu edhe për Shoqërinë Civile. Ky debat s?do mend se duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Përcaktimi i Interesave shtetërore më së miri do t?i shërbente Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila konsideroj është në nevojë urgjente për një udhërrëfyes të tillë duke pasur parasysh performancën e deritanishme.
Krijimi i identitetit politik dhe kulturor të shtetit të Kosovës duhet të ishte në mesin e interesave afatshkurtra përderisa avancimi i agrikulturës si dhe shfrytëzimi i mirëfilltë i pasurive nëntokësore siç janë mineralet do të duhej të ishin interesa vitale për vendin. Në këtë kuptim Kosova do të bëhej lider për ekonomi të gjelbër në rajon dhe në këtë aspekt do të rrugëtonte së bashku me vendet e tjera në botë sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Mirëmbajtja e tolerancës fetare e cila karakterizon popullin shqiptar duhet të jetë pjesë e interesave tona shtetërore dhe në këtë kontest edhe ruajtja e laicizmit e cila së fundi është cenuar në disa raste.

Pa dyshim që identifikimi i interesave shtetërore nuk është diçka që ky opinion ka pasur për qëllim të bëjë, mirëpo nevoja për një debat gjithëpërfshirës për atë se kah po shkon shoqëria kosovare dhe kah duhet të shkoj është imperativ për një angazhim gjithëpërfshirës.

Botuar ne Koha Ditore, 3 Shkurt 2010