Në Gjakovë kërkohet rritje e nivelit të efikasitetit të institucioneve për konfiskimin e pasurisë
Gjakovë, 15 Prill 2015. Lëvizja FOL ka organizuar debatin e radhës në Komunën e Gjakovës me temën Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe media. Drenusha Mula tha se qëllimi i këtyre tryezave të organizuara nga Lëvizja FOL është që të shihet zbatimi i bazës ligjore që rregullon konfiskimin e pasurisë në Kosovë.
Shpresa Bakia, kryeprokurore nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, tha se Ligji i ri sheh procedura më të lehta për konfiskim, sepse ky ligj parasheh që edhe nëse vdes i pandehuri, prokurori mund të kërkojë që ti hetohet pasuria e tij, kuptohet nëse është fituar me vepër penale. Prokurori duhet te shfrytëzon metodat adekuate qe te hetojë pasurinë e paligjshme të dikujt. Prokurori ka edhe disa lehtësime tjera, ajo ka një bashkëpunim shumë të mirë me njësitin e inteligjencës financiare, e cila me kërkesë të prokurorisë mund të bëjë ngrirjen e llogarive bankare, të cilat janë të dyshimta. Prokuroria e Gjakovës ka pas 42 lëndë të korrupsionit me 82 persona, gjatë kësaj kohe janë sekuestruar 400 kg narkotik, për të cilat janë ngrit aktakuza dhe presim vendimet nga gjykata, kemi sekuestruar medikamente pa licence, pa banderola me vlerë prej 7500 euro. Po ashtu, janë konfiskuar 25 armë të nxënë në vepër. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka sekuestruar mbi 25 vetura ku nga 13 prej tyre është kërkuar qe te behet konfiskimi përfundimtar. Monedha te falsifikuara janë sekuestruar diku ne vlerë 500 euro. Nga to armët dhe droga janë asgjësuar, ndërsa veturat po menaxhohen nga Agjencioni për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Përndryshe Prokuroria e Gjakovës është më e reja në Kosovë, e cila funksionon me 11 prokurorë, nga të cilët vetëm njëri merret me lëndët anti korrupsion.
Vaton Durguti, Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë, tha se kemi një infrastrukturë të mirë ligjore, e cila i përcakton qartë kompetencat e Prokurorit, i cili duhet të sjell fakte të mjaftueshme para gjykatës në mënyrë që të merret një vendim për konfiskim të pasurisë së dikujt. Kodi i procedurës penale njeh kategorinë e konfiskim të pasurive që janë përdorur me rastin e kryerjes së veprave penale, si dhe aseteve që janë dal si rezultat i kryerjes së veprës penale. Për momentin në procedurën paraprake janë të sekuestruara 2 vetura, kurse me aktgjykim të formës së prerë është konfiskuar 1 kamionë, 8 vetura, mjete monetare, pije alkoolike, mallra te kontrabanduara, armë si dhe narkotik. Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të merret më shumë me këto lëndë.