Me rekomandime të FOL-it, anulohet tenderi në Ministrinë e Drejtësisë

Prishtinë, 24 Janar 2013 – Lëvizja FOL, edhe në këtë vit vazhdon monitorimin e procedurave të prokurimit nëpër institucione të ndryshme publike me të cilat FOL ka marrëveshje për të realizuar aktivitete të tilla.

Në bazë të memorandumit të mirëkuptimit që Lëvizja FOL ka me Ministrinë e Drejtësisë, ka monitoruar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë procedurën e vlerësimit të tenderit “Shërbimet e Pastrimit të Objekteve të MD-së” e zhvilluar me 15 janar 2013. Gjatë zhvillimit të procedurës së vlerësimit Lëvizja FOL ka vërejtur se hartimi i specifikave të dosjes së tenderit ka qenë i mangët dhe në mënyrë jo profesionale. Në fletën e fundit te dosjes se tenderit, në tabelë është vendos vetëm çmimi për metër katror, pa u specifikuar se a bëhet fjalë për çmimin për metër katror për një orë, për një ditë, për një muaj apo çfarë periudhe kohore. Kështu që shpallja fitues e cilit do operatorë ekonomik konkurrues do të mund të kishte pasoja të paparashikueshme për buxhetin e Kosovës dhe të Ministrisë së Drejtësisë dhe mund shkaktonte veprime subjektive dhe diskriminuese ndaj operatorëve ekonomik ofertues. Për këto arsye ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e Lëvizjes FOL që ky tender të anulohet.

Autoriteti kontraktues gjegjësisht Ministria e Drejtësisë më 21 janar 2013, ka njoftuar operatorët ekonomik konkurrues se tenderi është anuluar nga ana e komisionit vlerësues dhe në arsyetim ka paraqitur pikërisht arsyet e cekura nga Lëvizja FOL.

Lëvizja FOL edhe një herë kërkon që ky vit të shërbejë që prokurimi publik të reformohet dhe qasja për përmirësimin e këtij sektori të jetë sistematike duke rritur transparencën dhe parandaluar dhe luftuar keqpërdorimet dhe korrupsionin në këtë sektor.