Mbi 10 Mijë Aktgjykime të Publikuara nga Gjykatat e Kosovës

Publikimi i aktgjykimeve në faqet e internetit të gjykatave është një hap përpara drejt qasjes në informata, rritjes së vetëdijes dhe besimit të publikut në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova janë duke e monitoruar këtë proces për të parë përputhshmërinë e tyre me Ligjin mbi Gjykatat.

Me ndryshim-plotësimin e Ligjit mbi Gjykata, të vitit 2016, të gjitha Gjykatat u obliguan t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë. Publikimi në këtë formë do të vazhdoj deri atëherë kur KGJK e plotëson-ndryshon Udhëzimin Administrativ për Publikimin e Aktgjykimeve në pajtim me Ligjin e ri për Gjykata (2018), përmes të cilit obligohet gjyqësori t’i publikojë të gjitha aktgjykimet.

Për të parë se si gjykatat janë duke e zbatuar këtë ligj, BIRN dhe FOL kanë filluar procesin e monitorimit të publikimit të aktgjykimeve që nga 1 Janari i vitit 2016, deri më 31 maj 2019.

Qëllimi primar i monitorimit është informimi i qytetarëve lidhur me progresin dhe të arriturat në këtë drejtim.

Deri më 31 maj, 2019, gjykatat kanë publikuar gjithsej 10 mijë e 822 aktgjykime. Vlen të theksohet se përderisa në vitin 2016 numri i aktgjykimeve të publikuara ishte 632, në vitin 2018 ky numër shënoi një rritje të dukshme dhe gjykatat publikuan 5,418.00 aktgjykime.

Nga të dhënat më lartë, vërejmë se që nga viti 2016 e deri më tani kemi një trend në rritje dhe gatishmëri më të madhe të gjykatave në publikimin e aktgjykimeve. Për më tepër, gjatë krahasimit të të dhënave të publikuara mes departamenteve, vërehet se departamentet penale të të gjitha gjykatave janë duke publikuar më shumë aktgjykime në krahasim me departamentet civile, administrative dhe ekonomike.

Të gjitha aktgjykimet e lartpërmendura janë të publikuara në ueb portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (www.gjyqesori-rks.org). Këto të dhëna mund të shërbejnë për hulumtime dhe analiza më të thella për studentët dhe hulumtues të fushës së drejtësisë, dhe më gjerë.

USAID – Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), është duke e mbështetur organizatën BIRN dhe FOL që të bëjnë monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga të gjitha Gjykatat Themelore (përfshirë degët e tyre) të Kosovës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.

 

Grafikoni 1: Krahasimi i publikimeve të aktgjykimeve sipas Gjykatave Themelore

Të dhënat më lartë tregojnë se deri më 31 maj 2019, Gjykatat Themelore, duke i përfshirë degët e tyre, kanë publikuar gjithsej 8 mijë e 619 aktgjykime. Pasqyrimi i këtyre të dhënave na lejon të bëjmë krahasimin mes Gjykatave Themelore të Kosovës ku vërehet se ajo e Prishtinës prin për sa i përket publikimit të aktgjykimeve, pasuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit dhe ajo e Ferizajt.

Në anën tjetër, Gjykata Themelore e Pejës ka publikuar më së paku aktgjykime.

 Grafikoni 2: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Prishtinës

Në nivelin e Gjykatave Themelore, Gjykata e Prishtinës është gjykata e parë me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara. Kjo gjykatë ka publikuar gjithsej 1,559.00 aktgjykime penale, 275 aktgjykime civile, 133 aktgjykime administrative, si dhe 71 aktgjykime ekonomike. Ndërsa nga degët e kësaj gjykate, Dega e Lipjanit ka publikuar 49 aktgjykime, Dega e Podujevës 17, Dega e Gllogocit 7, ndërsa Gjykata e Graçanicës nuk e ka publikuar asnjë aktgjykim.

Grafikoni 3: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Prizrenit

Në nivelin e Gjykatave Themelore, Gjykata e Prizrenit është gjykata e dytë me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara. Në këtë gjykatë, meritor për publikimin e numrit të aktgjykimeve është Departamenti Penal. Ky departament ka publikuar 1,410.00 aktgjykime. Kurse, Dega e Dragashit ka publikuar gjithsej 3 aktgjykime për periudhën e lartëcekur, ndërsa Dega e Suharekës nuk e ka publikuar asnjë aktgjykim.

Grafikoni 4: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Ferizajt

Gjykata e Ferizajt është gjykata e tretë me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara në rangun e Gjykatave Themelore. Në këtë gjykatë, numrin më të madh të aktgjykimeve e ka publikuar Departamenti Penal me 1,094.00 aktgjykime nga gjithsej 1,559.00 në total. Prej dy degëve, Dega në Kaçanik prinë me 72 aktgjykime të publikuara, derisa Dega në Shtërpcë me 57.

Grafikoni 5: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Gjakovës

Gjykata e Gjakovës është gjykata e katërt me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara në rangun e Gjykatave Themelore. Në këtë gjykatë meritor për numrin e madh të publikimit të aktgjykimeve është Departamenti Penal me 723 aktgjykime nga gjithsej 1,020.00 aktgjykime të publikuara në total. Vlen të theksohet se Dega në Rahovec ka publikuar 178 aktgjykime, kurse ajo e Malishevës 142. Për shkak të këtyre degëve, Gjykata Themelore e Gjakovës renditet e katërta për nga numri i publikimeve të aktgjykimeve.

Grafikoni 6: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Gjilanit

Gjykata e pestë në listën e gjykatave me numër të aktgjykimeve të publikuara është Gjykata e Gjilanit. Aty janë publikuar 951 aktgjykime ku më meritori është Departamenti Penal me 821 aktgjykime të publikuara. Nga degët e Gjykatës Themelores në Gjilan, Vitia ka publikuar 107 aktgjykime, Novobërda 43, ndërsa Kamenica 31. 

Grafikoni 7: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Mitrovicës

Gjykata e Mitrovicës renditet e gjashta për nga numri i aktgjykimeve të publikuara. Në këtë gjykatë  Departamenti Penal kryeson me publikimin e aktgjykimeve ku nga 733 aktgjykimet e publikuara, 398 janë publikuar nga ky departament. Dega e Skenderajt prinë me 53 aktgjykime, Vushtrria 3, kurse degët e Leposaviqit dhe Zubin Potokut nuk kanë publikuar asnjë aktgjykim.

 Grafikoni 8: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Pejës

Gjykata e Pejës është gjykata me numrin më të vogël të aktgjykimeve të publikuara. Në këtë gjykatë ndër vite janë publikuar vetëm 408 aktgjykime prej të cilave shumica në Departamentin Penal. Ndërsa vlen të theksohet se degët nga Gjykata Themelore e Pejës (Klina, Istogu dhe Deçani) nuk kanë publikuar asnjë aktgjykim.

Vlen të përmendet që nuk kemi informata zyrtare se sa aktgjykime përfundimtare janë nxjerrë brenda viteve nga gjykatat, informatë e cila do të na jepte një pasqyrë të qartë të rezultatit të publikimit të aktgjykimeve, duke e krahasuar numrin e aktgjykimeve të publikuara me atë që do të duhej të publikohej.

Grafikoni 9: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit përgjatë viteve ka shënuar progres të vazhdueshëm në rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara. Prej 2016 deri me 31 maj 2019, kjo gjykatë ka publikuar gjithsej 1,580.00 aktgjykime, prej të cilave 921 janë publikuar nga Departamenti Penal. Divizioni i Apelit të Mitrovicës ka publikuar gjithsej 6 aktgjykime.

Grafikoni 10: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata Supreme

Në Gjykatën Supreme nga 623 aktgjykimet e publikuara, Departamenti Civil prinë me numrin e  aktgjykimeve të publikuara. Të dhënat në grafikon tregojnë se në këtë departament ndër vite janë publikuar 303 aktgjykime. Kurse Dhoma e Posaçme ka publikuar 22 aktgjykime.


Sqarim: Gjatë monitorimit të numrit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në numër të përgjithshëm figurojnë 11,059.00 aktgjykime, apo 237 aktgjykime më shumë se në grafikonet e paraqitura më lartë me një total prej 10,822.00 aktgjykime të publikuara. Ky dallim në numra vërehet në veçanti në Gjykatën Supreme ku diferenca është në 190 aktgjykime, në Gjykatën Themelore të Prishtinës diferenca është për 20 aktgjykime, Gjykatën e Apelit për 15, Gjykatën Themelore të Ferizajt me 7, Gjykatën Themelore të Mitrovicës për 3, dhe ajo e Gjakovës dhe Prizrenit për nga një aktgjykim. Kjo mospërputhje e numrave në gjykatat e lartpërmendura rezulton kryesisht në vitin 2017.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky artikull është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.