Luftimi i korrupsionit në Administratën Publike të Kosovës

Prishtinë 05 dhjetor 2022- Lëvizja FOL në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2022” ka mbajtur sot konferencë për media me ç’rast ka publikuar raportin “Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike”.
Kosova ka krijuar një kornizë të fuqishme ligjore dhe institucionale për të forcuar etikën në administratën publike dhe shërbimin civil.
Ligji për zyrtarët publik i ndan shkeljet disiplinore në dy kategori: shkelje të rënda dhe të lehta. Shkeljet e rënda konsiderohen: mospërmbushja e detyrave të punës; mosrespektimi i afateve të përcaktuara për kryerjen e detyrave.
Burbuqe Kastrati tha se “ky raport ofron një pasqyrë të të dhënave të publikuara nga qeveria e Kosovës në lidhje me masat disiplinore të marra ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit kundër korrupsionit nga viti 2017 deri në vitin 2021”.
Sipas Kastratit, bazuar në këto të dhënat nga qeveria e Kosovës, për pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2017 deri në vitin 2021, vlerësohet se janë marrë 361 masa disiplinore ndaj nëpunësve civil, ose mesatarisht 72 masa disiplinore në vit.
Ndërkaq, sa i përket llojit të shkeljeve të kryera, rezulton se ndaj nëpunësve civil janë marrë 258 masa disiplinore për shkelje të rënda, ku përfshihen edhe rastet e korrupsionit, ndërsa 103 masa për shkelje të lehta. Shprehur në përqindje del se 71 % e të gjitha shkeljeve të kryera nga viti 2017 deri në vitin 2021 përfshinin shkelje të rënda, tha ajo.
Ndërkaq, sa i përket asaj se a janë shkelës më të mdhenjë në shërbimin civil të Kosovës burrat apo gratë, sipas të dhënave del se burrat janë kampionët e shkeljes së etikës dhe legjislacionit kundër korrupsionit. Bazuar në të dhënat e disponueshme, gjatë pesë viteve të fundit, shumica dërrmuese e masave disiplinore janë marrë ndaj meshkujve (171) krahasuar me vetëm 26 gra. Në përqindje kjo tregon se 87 % e të gjitha shkeljeve në shërbimin civil të Kosovës janë kryer nga meshkujt.
Institucionet nga niveli qendror i qeverisjes, si ministritë dhe agjencitë ekzekutive, kanë një numër më të madh të rasteve të shkeljes së legjislacionit të etikës dhe ligjit antikorrupsion në krahasim me nivelin komunal. Në bazë të të dhënave të disponueshme nga viti 2017 deri në vitin 2020, del se 63 % e masave të raportuara ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit kundër korrupsionit vijnë nga institucionet e nivelit qendror, tha Kastrati.
Nga të dhënat e këtij raporti del se qeveria duhet të përmirësojë transparencën dhe raportimin për zbatimin e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale për rastet kur zyrtarët publik janë pezulluar për shkak të hetimeve për korrupsion. Në këtë kontekst dhe po ashtu shumë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit është monitorimi efektiv i zbatimit të nenit 62 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës i cili u mundëson gjykatave që “të ndalojnë kryerësin që të ushtroj funksione në administratën publike ose në shërbimin publik për një (1) deri në pesë (5) vjet pas vuajtjes së dënimit me burgim, nëse personi i tillë ka keqpërdorur këto funksione dhe është dënuar me burgim, si dhe zbatimin e aktvendimeve të Gjykatës bazuar në Kodin Penal për ndalimin e zyrtarëve për të ushtruar funksione publike.