Lëvizja FOL ndan Çmimin “FOL për Prokurim”

Prishtinë, 27 prill 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Open Contracting Partnership ka ndarë sot çmimin për gazetarë “FOL për prokurim”.

Mexhide Demolli-Nimani drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se është viti i dytë që FOL tashmë ndanë çmime për artikujt e botuar dhe storiet nga gazetarë hulumtues në fushën e Prokurimit Publik. “Raportimi për prokurimin publik nga gazetaret është i një rëndësië së veçantë. Andaj, për të inkurajuar gazetarët hulumtues në fushën e prokurimit publik, të cilët përmes raportimeve të tyre kanë paraqitur parregullsi dhe keqpërdorime përmes procedurave të prokurimit publik, ne sot po ndajmë çmime simbolike për gazetarët që raportojnë për këtë sektor”, tha Demolli Nimani duke shtuar se raportimi për prokurimin publik në mënyrë të vazhdueshme bën që institucionet publike të përmirësojnë vetën duke rritur në këtë mënyrë transparencën dhe llogaridhënien e shpenzimeve të parasë publike.

Andaj sot, FOL Çmimin e Tretë ia ndau Egzon Dahsylës, për shkrimin “Komunës së Gjakovës nuk i mjaftuan 460 mijë euro për pastrimin e një deponie”. Shkrimi tregon mënyrën e keqpërdorimit të parasë publike. Në Gjakovë është deponia legale në lagjen ‘Ali Ibra’. Aty hudhen gjitha mbeturinat të qytetit të Gjakovës. Komuna kishte siguruar një fond në vlerë prej 400 mijë euro, për eliminimin e deponisë dhe rehabilitimin e lokacionit. Kishte nënshkruar një kontratë me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë. Vlera e kontratës ishte 420 mijë euro. Por kjo shumë nuk ishte e mjaftuar për pastrimin e deponisë. Më pas, Komuna ka nënshkruar edhe një ankes-kontratë për të njëjtin qëllim, me të njëjtën kompani. Plus 41 mijë euro dhe 461 mijë euro në total, nuk i kishin mjaftuar Komunës së Gjakovës për të eliminuar këtë deponi.

Çmimi i Dytë iu nda Alberta Hashanit nga Shqip, për video storien “Dallaveret me tenderin që la rrugët e Kosovës pa sinjalistikë”. Ky hulumtim ka të bëjë me Ramadan Mazrekajn, i cili si hartues i specifikave të tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve me sinjalistikë, ia dha vetës  tenderin. Pas ankesave të bëra nga kompanitë e tjera, lënda ka mbetur ende në trajtim nga OSHP-ja. Si rrjedhojë, 40 për qind e rrugëve kanë mbetur pa sinjalistikë tash e katër vjet.

Ndërkaq, Çmimi i Parë iu nda autorit Valon Fana nga Kallxo.com, për shkrimin “Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban”. Ky hulumtim tregon se ish-kryesuesi i bordit i Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban”, Ruhan Beha veturën e tij personale, e kishte shitur për këtë ndërmarrjeje duke anashkaluar procedurat e prokurimit. Pronësia e veturës është konfirmuar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, departamenti i regjistrimit të automjeteve. Në ueb-faqen e prokurimit elektronik nuk figuron asnjë tender i hapur nga “Trafiku Urban” për blerje të veturës në atë kohë. Hulumtimi, tutje zbardh detaje se tenderi për blerjen e kësaj veture dhe nënshkrimi i kontratës ishte bërë disa muaj më vonë. Përveç kësaj, çmimi me të cilën ishte blerë ajo ishte dyfish më i lartë se çmimi i një veture të tillë në treg. Pas këtij hulumtimi, Policia e Kosovës, departamenti i krimeve ekonomike ka nis hetimet. Ndërsa, kryeshefi i “Trafikut Urban” është shkarkuar.