Lëvizja FOL kërkon dorëheqjen e kryetarit të OSHP-së z. Hysni Hoxha

Prishtinë, 04 nëntor 2014. Sot, Prokuroria Speciale zyrtarisht ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të Organit Shqyrtues të Prokurimit se kanë kryer veprën penale të korrupsionit keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtarë. Ky institucion konsiderohet si gjykata e tenderëve në kuadër të sistemit të prokurimit publik dhe në mesin e të akuzuarve nga prokuroria Speciale thuhet se është edhe vet kryetari i OSHP-së z. Hysni Hoxha.

Në funksion të një hetimi të pavarur dhe të pa ndikuar si dhe në përgjegjshmëri institucionale, kërkojmë nga z. Hoxha që të jap dorëheqje nga pozita aktuale në OSHP deri në momentin që të përfundoj rasti i nisur sot nga Prokuroria Speciale. Kjo përpos që do të ishte një sjellje normale nga ana e kryetarit të OSHP-së, në të njëjtën kohë do t’i ndihmonte edhe vet institucionit për adresimin e problemeve dhe dyshimeve për korrupsion e keqpërdorime që kanë ekzistuar që nga themelimi i këtij institucioni.

Lëvizja FOL inkurajon dhe kërkon nga organet e hetuesisë së policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që të rrisnin angazhimin e tyre në ndërmarrjen dhe realizimin e hetimeve rreth aferave korruptive dhe keqpërdorimeve që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në sektorin e prokurimit publik. Nuk ka asnjë fije dyshimi që ky sektor është duke u përballur me nivel të lartë korrupsioni e angazhim shumë të ultë të institucioneve në parandalimin e tij, mbikëqyrjen, hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive në këtë sektor. Këtë gjendje e kanë konstatuar shumë raporte vendore e ndërkombëtare, ku në këtë kontekst Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për këtë vit ka theksuar nivelin e lartë të korrupsionit në prokurimin publik dhe masat që duhet të ndërmerren nga organet e hetuesisë së Kosovës për luftimin e tij në këtë sektor.

Ne, besojmë që cilido që do të ishte formati i institucioneve të ardhshme, nëse këto institucione nuk do të adresonin dhe nuk do të merreshin seriozisht dhe në baza ditore me sundimin e rendit dhe të ligjit, qytetarëve të Kosovës do t’u përforcojnë arsyet e mosbesimit në funksionalitetin e shtetit dhe institucioneve tona.