KPK dhe PSh duhet të publikojnë aktivitetet e realizuara në kuadër të Planeve Vjetore të Punës së tyre

Prishtinë, 7 maj 2021 – Lëvizja FOL ka organizuar sot tryezë diskutimi, me ç`rast ka publikuar raportin “Realizimi i Planit të Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Prokurorit të Shtetit (PSH) për vitin 2020”.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë Ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha se duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të përgjegjësisë së bartësve të institucioneve të sistemit prokurorial, monitorimi dhe analizimi i punës së këtyre institucioneve është i një rëndësie të veçantë për shoqërinë civile. Andaj, sipas saj, Lëvizja FOL gjatë këtyre muajve ka monitoruar nivelin e realizimit të Planit të Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe të Prokurorit të Shtetit për vitin 2020 pa u lëshuar në analizën e cilësisë dhe efektshëmrisë së tyre por vetëm në aspektin kuantitativ.

Albana Hasani, Hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se Plani i Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2020, duke u bazuar në përgjigjjet e pranuara nga ky institucion, ka arritur të realizohet rreth 81 % nga ana e këtij institucioni. Ndërkaq, sipas përgjigjjeve të pranuara nga ana e Prokurorit të Shtetit, Plani i Punës së Prokurorit të Shtetit ka arritur të realizohet rreth 97 %.

Sipas Hasanit, publikimi i të dhënave në lidhje me punën dhe aktivitetet e këtyre institucioneve në ueb-faqen zyrtare të Sistemit Prokurorial vazhdon të mbetet shqetësuese. Sipas saj, nga 143 aktivitete të realizuara të KPK-së, në ueb faqen zyrtare të saj ky institucion ka publikuar të dhëna për realizimin e vetëm 18 aktiviteteve, apo vetëm për 13 % të tyre, ndërkaq nga të gjitha aktivitetet e realizuara të Planit të Punës së PSh-së, ky institucion ka publikuar vetëm 2 aktivitete.

“Kjo pra mbetet një prej sfidave të këtyre institucioneve në këtë drejtim, dhe se pa dyshim se publikimi i vazhdueshëm i aktiviteteve që realizohen, do të ndikonte në rritjen e transparencës së këtyre institucioneve dhe në fuqizimin e besimit të publikut në punën e Sistemit Prokurorial në përgjithësi”, tha Hasani.

Jetish Maloku, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se kanë arritur që të përmbushin planin e punës në përpikëri, duke shtuar se pandemia ka prolonguar disa prej aktiviteteve.

“Ne kemi parasysh rrethanat në vitin 2020, për fat të keq pandemia ka qenë guri më i rëndë në Këshill, ka ndikuar negativisht në punën tonë. Nuk ka dilemë se një staf të përgjysmuar ka ndikuar në azhurnimin e aktiviteteve tona me planin e punës për vitin 2020”, tha Maloku.

“Unë jam i lumtur që e shoh këtë shifër 81%. Këto të gjetura do t’i marrim seriozisht dhe do të futen raport ku ka vend do t’i përmirësojmë”, përfundoj Maloku.

Bahri Hyseni nga Prokurori i Shtetit, tha se raporti i FOL-it është tejet real dhe do të ndikojnë në avancimin e punës së tyre në përgjithësi.

Ai më pas tha se, edhe përkundër që kanë punuar me staf të përgjysmuar për shkak të pandemisë, kanë arritur që të sekuestrohen afër 20 milionë euro, të shënjëstrohen 9 raste për korrupsion e të ngriten 10 aktakuza. “Viti 2020 është i veçantë dhe do të kisha dëshirë që të gjitha aktivitet të realizohen, por kemi pasur probleme. Avancimi i llogaridhënies vazhdon gjatë gjithë kohës”, tha Hyseni.

“Te prokurori nuk ka parashkrime, 50 mijë lëndë janë përfunduar. Edhe pse me staf të reduktuar kemi arritur 113% për të kryer më tepër lëndë se që na kanë ardhur. Forcimi i luftës kundër korrupsionit, 20 milion euro janë sekuestruara, por problem e kemi konfiskimin. Vetëm këtë muaj rreth 20 milionë euro ka sekuestruar Prokuroria”, përfundoi Hyseni.