Konsultim publik për Partneritetin për Qeverisje të Hapur në Komunën e Prizrenit

Prizren, 18 mars 2014 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Ec me Ndryshe si anëtare të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneritetin për Qeverisje të Hapur sot kanë organizuar konsultimin publik në Komunën e Prizrenit me qëllim përgatitjen e Planit Nacional të Veprimit 2014-2016. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve komunale, të shoqërisë civile, media dhe qytetarë të interesuar.

Elmedina Baxhaku nga Ec me Ndryshe pas një prezantimi të shkurtër të aktiviteteve të organizatës në rritjen e transparencës së Komunës së Prizrenit, tha se ne si organizatë e kemi mbështetur këtë iniciativë. Ajo tha se sot përmes këtij debati tentojmë të identifikojmë problemet me të cilat përballen qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës sa i përket qasjes në institucione publike.

Kenan Tora, nga Lëvizja FOL, pas një prezantimi të shkurtër të historikut të krijimit Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH (për më shumë ju lutem referojuni historikut të PQH-së: http://www.ogpkosova.org/what-does-open-government-mean/), vazhdoj të sqaroj shkurtimisht hapat që janë ndërmarrë dhe që duhet ndërmerren nga Kosova me qëllim anëtarësimin e saj në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Ai tha se është themeluar Grupi Koordinues i cili është i përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve dhe përfaqësuesve të sektorit privat, i cili Grup ka për mision hartimin e Planit Nacional të Veprimit për Kosovën. Ai tha se Grupi Koordinues ka vendosur që Plani të fokusohet në 4 sfidat kryesore të parapara dhe sugjeruara nga PQH, gjegjësisht: Përmirësimi i shërbimeve publike, Rritja e integritetit publik, Menaxhimin e burimeve publike në mënyrë më efikase dhe Rritja e llogaridhënies korporatave. Ai gjithashtu tha se kjo fushatë e konsultimeve publike do të shërbejë për rritjen e gjithpërfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në këtë proces dhe gjithashtu për mbledhjen e propozim aktiviteteve konkrete, e që do të përfshiheshin në Planin Nacional të Veprimit të Republikës së Kosovës.

Dea Spahiu, nga UNDP në Prizren shprehi përkrahjen dhe mbështetjen e UNDP-së për procesin e anëtarësimit të Kosovës në OGP.

Afrim Tejeci nga Shoqata Zejtare në Prizren tha se janë angazhuar shumë që të ketë transparencë më të madhe nga komuna sa i përket zonës industriale. “Kemi pasur investitor të jashtëm që kanë dashtë të investojnë në Prizren, por nuk nuk kemi arritur të kemi një planprogram për zonë industriale. Kemi ngecje me këto informata dhe nuk dim si t’ia sqarojmë të interesuarve kur as ne vet si dimë”.

Aqim Emurli nga OSBE tha se në Kosovë ka ligje e rregullativa të ndryshme sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, por ka edhe manipulime se sa qytetaret janë të inkuadruar në vendim marrje, kjo për arsye se qytetarët nuk ftohen në mënyrën e duhur dhe debatet mbahen debate sa per për sy e faqe. Çështja thelbësore e inkuadrurimit të qytetarëve në vendimmarrje është e rëndësishme sidomos tek planet rregullative, ku “debatet mbahen, por kur fillojnë punimet atëherë shfaqen pakënaqsitë e njerëzve se nuk janë konsultuar më herët” tha ai.

Veton Ruka nga Karitasi Zvicerian, se theksojë përdorimin e teknologjisë  informative në Kosovë ku tha se çdo i dyti kosovar ka njohuri të tilla. Sipas tij, ueb faqja e komunës duhet të sofistikohet dhe të përditësohet sa më shpesh rregullisht në mënyrë që qytetarët të fillojnë ta përdorin dhe informohen sa më shumë.

Naim Cahani nga KDI, tha se zyret për informim duhet të përmirësohen dhe të avancohen më shumë. Po ashtu në kuadër të takimeve publike për projektimin e buxhetit duhet të kemi procesverbale dhe këto të jenë publike.

Mentar Karjagdiu nga OSBE tha takimet me qytetarë sa i përket hartimit të buxhetit duhet të organizohen nga Komiteti për Politike dhe Financa e jo nga zyra e kryetarit. “Është parë që Komiteti për politikë dhe financa nuk kanë qenë shumë të angazhuar në mbajtjetn e këtyre debateve përkundër se ata janë të obliguar me ligjta respektojnë ligjin dhe ti organizojnë vet këto debate”, tha ai.

Antigona Shestan nga OPDMK tha se kur flitet për transparencë dhe qasje në institucione “mendoj se personi me aftësi të kufizuar duhet të ketë një trajtim të veçantë në këtë aspekt”. Personat me aftësi të kufizuar nuk kanë asnjë qasje në institucionet e vendit duke u nis nga qasja fizike në objektet e institucioneve”.

Galeria e aktivitetit

Public consultation on Open Government Partnership in Prizren Municipality2Public consultation on Open Government Partnership in Prizren Municipality