Konsultim publik për Partneritetin për Qeverisje të Hapur në Komunën e Pejës

Pejë, 12 mars 2014- Lëvizja FOL në bashkëpunim me Syri Vizionin në Pejë si anëtare të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneritetin për Qeverisje të Hapur sot kanë organizuar konsultimin publik në Komunën e Pejës me qëllim përgatitjen e Planit Nacional të Veprimit 2014-2016. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve komunale, të shoqërisë civile, media dhe qytetarë të interesuar.

Naser Lajqi nga Syri Vizioni pas një prezantimi të shkurtër të historikut të krijimit Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH (për më shumë ju lutem referojuni historikut të PQH-së: http://www.ogpkosova.org/what-does-open-government-mean/), tha se ne si organizatë e kemi mbështetur këtë iniciativë. Ai tha se sot përmes këtij debati tentojmë të identifikojmë problemet me të cilat përballen qytetarët e Pejës dhe të Kosovës sa i përket qasjes në institucione publike. Sipas tij kjo fushatë e konsultimeve publike do të shërbejë për rritjen e gjithpërfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në këtë proces dhe gjithashtu për mbledhjen e propozim aktiviteteve konkrete, e që do të përfshiheshin në Planin Nacional të Veprimit të Republikës së Kosovës.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL, prezantojë shkurtimisht hapat që janë ndërmarrë dhe që duhet ndërmerren nga Kosova me qëllim anëtarësimin e saj në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Ai tha se është themeluar Grupi Koordinues i cili është i përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve dhe përfaqësuesve të sektorit privat, i cili Grup ka për mision hartimin e Planit Nacional të Veprimit për Kosovën. Ai tha se Grupi Koordinues ka vendosur që Plani të fokusohet në 4 sfidat kryesore të parapara dhe sugjeruara nga PQH, gjegjësisht: Përmirësimi i shërbimeve publike, Rritja e integritetit publik, Menaxhimin e burimeve publike në mënyrë më efikase dhe Rritja e llogaridhënies korporatave.

Samir Lleshi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se aferat korruptive tek korporatat, gjenezën e kanë te Ligji i Prokurimit, ku përkundër insistimit të OEK-ut tash e dy vite që të kemi një prokurim online ende nuk po bëhet asgjë.

Mevylde Idrizi, këshilltare komunale në komunën e Pejës (punëtore në ndërmarrjen ‘Hidrodrini’-Pejë), tha kemi nevojë për ndryshime rrënjësore, sepse këto fusha që janë përcaktuar sa i përket ndërmarrjeve publike janë shumë larg zbatimit. “Në ndërmarrje publike transparenca nuk ekziston fare, pjesëmarrja qytetare asnjëherë nuk kanë qenë aktiv, as për ndonjë plan rregullues e as për një kërkesë për qasje në dokumente publike. Stafi menaxherial asnjëherë nuk jep llogaridhënie ku edhe në cilësinë e këshilltares komunale nuk kam pas qasje në dokumente publike. Ajo tha se insistimi i saj ka bërë që të kërcënohet shumë herë edhe me largim nga puna.  Menaxhimi korrekt, dokumentet e ndryshme të jenë të hapura për publikun do të ndihmonte që edhe punëtorët të jenë të informuar për të drejtat e tyre që i kanë. Gjithashtu znj. Idrizi sugjerojë që në kuadër të Planit Nacional të Veprimit të parashihet përgatitja dhe zbatimi i sistematizimit të vendeve të punës për të gjitha nivelet e administratës.

Gazmend Shabaj– këshilltar komunal tha se një pjesë e konsiderueshme e ligjeve që i kemi sot, ndodh që shumë nene bien ndesh njëra me tjetrën, këtu edhe duhet të fillojnë ndryshimet. Në të njëjtën kohë duhet të sensibiliozen edhe qytetarët sa i përket obligimeve të qytetarëve në raport me shtetin, kur dihet se shumë pak paguajnë tatimin në pronë, rrymën apo ujin me rregull. Sipas tij, rritja e përdorimit të teknologjisë si në publikimin e konkurseve, kontratave, e shumë gjërave të tjera do të ndikonte shumë për të mirë në këtë drejtim.

Islam Husaj, kryesues i Kuvendit Komunal Pejë, tha se kemi shumë ligje të cilat duhet të ndryshohen e veçanërisht Ligji për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligji për Prokurimin Publik. Është një praktikë në krejt Kosovën që Kuvendi Komunal është në shërbim të kryetarit, në këtë mënyrë ai ka aq shumë kompetenca sa që secilin vendim mund ta merr vet. Gjithashtu të ky ligj duhet të ndryshohen edhe kriteret e përzgjedhjes së drejtorëve komunal, e të mos mbetët vullnet i kryetarit përzgjedhja e tyre. Sa i përket transparencës, Husaj tha se shumë pak gjëra postohen në ueb sajt të komunës. Ne duhet të jemi në shërbim të qytetarit, ne duhet të mbajmë edhe seanca këshilluese me qytetarët që ti informojmë ata më të drejtat që i kanë. Qytetarëve duhet t’i ofrojmë njohuri për çdo veprim që bën Kuvendi Komunal. z. Husaj tha se pajtohet që sistematizimi i vendeve të punës është qenësor për institucione transparente, llogaridhënëse dhe efektive. Rekomandimet e Husajt ishin se duhet të ndryshohen ligjet kontestuese, të sigurohen mjetet financiare, të sigurohet mekanizmi mbikëqyrës, dhe të hartohen rregullore për sistematizimin e vendeve të punës.

Galeria e aktivitetit

Public consultation on Open Government Partnership in Peja Municipality3Public consultation on Open Government Partnership in Peja Municipality2Public consultation on Open Government Partnership in Peja Municipality