Komuna e Prizrenit me më shumë lëndë në OSHP

Prizren, 18 dhjetor 2015 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Civil Rights Defenders, ka mbajtur sot tryezë për Prokurimin Publik në Komunën e Prizrenit. Në këtë tryezë në cilësinë e panelistëve ishte Drejtori i Prokurimit, z.Isa Osmanukaj si dhe Kryetari për Komitetin për Poltika dhe Financa, z.Kujtim Gashi.

Fisnik Minci tha se Komuna e Prizrenit në periudhën 01 janar 2015 – 31 tetor 2015, ka shpallur gjithsej 221 Njoftime Kontrate, 232 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 36 Njoftime Anulimi, si dhe 1 Anulim për Dhënie të Kontratës. Duke e krahasuar kështu me vitin 2014, ku Komuna Prizrenit, gjatë periudhës 01 Janar 2014 – 01 Korrik 2014 ka shpallur vetëm 37 Njoftime Kontrate, 54 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 7 Njoftime Anulimi, dhe 0 Anulime të Dhënies së Kontratës, që rezulton se, gjatë vitit 2015 Komuna e Prizrenit është komuna e vetme, pas Prishtinës, me një numër kaq të madh të rasteve të prokurimit (pothuajse gjashtë herë më shumë se 2014-ta).Po ashtu, në këtë periudhë kohore Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), si organ i autorizuar dhe i obliguar me Ligjin për Prokurim Publik për shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve të ankesave në aktivitetet e Prokurimit Publik në institucione publike, ka marrë gjashtë vendime rreth Komunës së Prizrenit. Nga këto vendime, vetëm në dy raste është Refuzuar ankesa e Operatorit Ekonomik ankues kundër Autoritetit Kontraktues, Komunës së Prizrenit. Mandej, ka pasur vetëm një vendim tjetër ku ankesa e Operatorit Ekonomik ankues është Aprovuar si Pjesërisht e bazuar. Ndërsa në tre raste të tjera, OSHP-ja ka Aprovuar ankesat e Operatorit Ekonomik ankues si të bazuara, duke obliguar ose urdhëruar kështu Autoritetin Kontraktues, Komunën e Prizrenit që procedurën e prokurimit ta kthej në Ri-Tenderim ose në Ri-Vlerësim.

Isa Osmanakaj, shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, tha se kjo zyre gjatë këtij viti i ka ndërprerë kontrata me 3 operatorë ekonomik, për shkak të mos përmbushjes së obligimeve sipas marrëveshjes së nënshkruar. Gjatë vitit 2015, ai tha se kjo zyrë ka ndërmarrë më shumë se 339 aktivitete, me ç’rast 15 prej tyre janë anuluar dhe nuk janë ritenderuar. Ndërsa për 324 aktivitete, kontratat ose janë nënshkruar ose janë në fazën finale. Me tej ai tha se gjatë kësaj periudhe janë parashtruar gjithsej 15 ankesa, ku në tri raste janë kontestuar njoftimet për kontratë, dhe në 12 raste ka pasur ankesë ndaj vendimeve të Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit. Nga 12 ankesa OSHP-ja , 8 janë refuzuar si të pabazuara dhe 4 janë aprovuar pjesërisht që të shkojnë në rivlerësim apo ritenderim, theksoi Osmanakaj.

Kujtim Gashi, kryesues i Kuvendit Komunal, njëherit edhe udhëheqës i Komitetit për Politika dhe Financa, tha se kanë bashkëpunim shumë të mirë me zyren e prokurimit, ai ka theksuar se deri më tani një gjë e tillë është bërë përmes raporteve periodike të drejtorit që janë sjellë në Komitetin për Politikë dhe Financa. Sipas tij, nga viti 2016 nga kjo zyrë do të kërkohet edhe më shumë llogari, ku në çdo fund vit do të diskutohet se sa ka punu kjo zyrë ku do ta shqyrtojmë raportin e punës të kësaj zyre. Ai po ashtu ka potencuar se Ligji i Prokurimit, i ka disa të meta, sidomos kur është në pyetje çmimi më i ulët. Sipas tij, edhe E-Prokurimi do të ishte një shtysë për përmirësimin e aktiviteteve të prokurimit.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar më shumë transparencë për aktivitetet e prokurimit në mënyrë që publiku të jetë i njoftuar edhe me raportet e vlerësimit dhe aspektet përcjellëse të përzgjedhjes së fituesve.