Këshilli Prokurorial i Kosovës të marrë masa ndaj Prokurores Laura Pula për veprimin e saj ndaj të dënuarit Elez Hoxha

Prishtinë, 13 shkurt 2015. Sot në media, përkatësisht në të përditshmen Koha Ditore është raportuar që koordinatorja kombëtare kundër korrupsion, prokurorja Laura Pula ka kërkuar nga Gjykata Supreme që dënimi me burg ndaj ish-gjyqtarit Elez Hoxha të ‘zbutej’ apo edhe të lirohet nga burgu. Arsyetimi i këtij veprimi është dhënë duke ju referuar gjendjes shëndetësore të te dënuarit. Siç dihet, z. Hoxha është dënuar më 4 vjet burg për marrje të ryshfetit, në shumën prej 60 mijë euro.

Ka vite që institucionet e drejtësisë janë kritikuar nga qytetarët e Kosovës, mediat, shoqëria civile dhe institucionet ndërkombëtare. E gjithë kritika ka qenë që këto institucione nuk janë as të pavarura dhe as profesionale. Përpos kësaj, institucionet e Kosovës, përfshirë këtu edhe sistemin e drejtësisë në vazhdimësi kanë pasur shqetësime të mëdha nga të gjitha anët për aferat korruptive brenda tyre. Kjo është e dokumentuar në të gjitha raportet vendore por edhe vlerësimet ndërkombëtarë, ndër to edhe raporti i progresit.

Prokurorja Laura Pula është caktuar si koordinatore për luftimin e korrupsionit në vend, e na del pikërisht kjo prokurore që përfshihet në këtë aferë të fundit në lidhje me ish-gjyqtarin Elez Hoxha. Kjo pa diskutim është një ndër shkeljet më flagrante, të cilën Këshilli Prokuroria i Kosovës duhet të jep shpjegime të menjëhershme dhe të marrë masa ndëshkuese ndaj Koordinatores Pula.

Më këtë rast, ne besojmë që koordinatorja kombëtare kundër korrupsion ka humbur të gjithë kredibilitetin e saj për të qenë në këtë pozitë edhe më tutje. Ne besojmë që, nëse prokurorja në fjalë e bënë këtë veprim në këtë situatë, ajo do të bëjë çfarëdo veprimi në situate tjera. Prandaj, do të ishte e udhës që prokurores Pula t’i merrej e drejta që të vazhdoj punën në prokurorinë e shtetit në çfarëdo niveli.

Duke qenë në kohën që po bëhet garë për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, veprime të tilla të papërgjegjshme dhe anti-ligjore tregojnë qartazi ndërhyrjet edhe politike në këtë proces. Prandaj, ne, kërkojmë nga Këshilli Prokurorial që sa më parë të del më një qëndrim në lidhje me rastin e prokurores Pula, duke besuar që të merren masa të duhura për një çështje kaq të ndjeshme.