Grupi punues jo-formal diskutoi për problemet në prokurimin publik

Prishtinë, 14 Dhjetor – Lëvizja FOL në kuadër të përpjekjeve të saj për identifikimin e problemeve në fushën e prokurimit publik mbajti sot takimin e radhës të Grupit Punues Jo-formal, në të cilën marrin pjesë institucionet e prokurimit, autoritete të ndryshme kontraktuese dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Lëvizja FOL i njoftoi fillimisht pjesëmarrësit me raportet dhe analizat e publikuara gjatë këtij viti, siç janë: Analizë e Ligjit të Prokurimit në Kontekstin e Transparencës, Analizë për Shpërdorimin me Autoritetin Publik në Fushën e Prokurimit Publik, si dhe tre Monitorues të Prokurimit. Më pas, pjesëmarrësit e GPJ kanë diskutuar rreth mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Open Government Partnership, e cila është një organizatë që promovon transparencën dhe llogaridhënien. Në dokumentin “Rruga drejt OGP-së”, Lëvizja FOL ka hartuar një draft-propozim për planin nacional të veprimit të Kosovës, e i cili është një kusht themelor në rrugën e anëtarësimit në OGP.
Pas këtij diskutimi, Lëvizja FOL përmes një analize ka paraqitur tri çështje kryesore që paraqesin shqetësim për fushën e prokurimit publik. Këto çështje përfshijnë:
1. Çështja e diskriminimit: Lëvizja FOL mendon se kërkesa e kontratave apo kontratave të shoqëruara me referenca vetëm me institucionet shtetërore nga Operatorët Ekonomik paraqet diskriminim për bizneset e reja dhe ato që kanë përvojë por për arsye të ndryshme nuk kanë punuar me institucione shtetërore deri tani. Po ashtu, shpeshherë është e paqartë se kush është i autorizuar të lëshojë referencën në rastin kur OE punojnë me institucionet shtetërore.
2. Çështja e disponueshmërisë së mjeteve dhe Çmimeve jo normalisht të ultë: Lëvizja FOL mendon se bërja publike e disponueshmërisë së mjeteve për tenderët do të ndikonte pozitivisht në eliminimin e problemit të çmimeve jo normalisht të ultë. Shpeshherë dallimi në mes të OE konkurrues më të lirë dhe më të shtrenjtë arrin deri në 40%-50% të ofertës. Pasi që me LPP nuk rregullohet në mënyrë taksative ky problem do të mund të rregullohej me akte ligjore nga ana e KRPP-së
3. Lëvizja FOL në kuadër të lobimit për anëtarësim në OGP shpreh edhe avantazhet që do të sillte aplikimi i e-procurement, i cili është pjesë e propozimeve të lëvizjes FOL për planin nacional të veprimit në rrugën drejt anëtarësimit.

Pjesëmarrësit u pajtuan që:
1. Kërkesa e kontratave apo kontratave të shoqëruara me referenca e komplikon procesin e tenderimit. Mirëpo kemi të bëjmë me një thikë me dy teha sepse nëse nuk kërkohen këto rrezikohet niveli i kualitetit pasi që nuk kemi një matës tjetër të aplikueshëm për të matur kualitetin e OE konkurrues dhe nëse kërkohen rrezikohet konkurrenca pasi që diskriminohen bizneset e reja dhe ato që deri tani nuk kanë punuar me institucionet shtetërore.
2. Disponueshmëria e mjeteve duhet të bëhet publike dhe do të ndikonte pozitivisht në eliminimin e problemit të çmimeve jo-normalisht të ultë. Mirëpo ky proces duhet të shoqërohet me një analizë të detajuar për koston e punës që tenderohet, dhe duhet të zhvillohet një formulë e aplikueshme për të gjitha institucionet se me çfarë përqindje dallimi nga mjetet në dispozicion do të merreshin parasysh ofertat.
3. Përmes sensibilizimit publik, takimeve më të shpeshta dhe përfshirjes së më shumë institucioneve të lobohet për anëtarësimin në OGP.
Në këtë takim morën pjesë: Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Administratës Publike, Prokuroria e Shtetit, Kosovo Democratic Institute, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë.

Galeria e aktivitetit

Foto Galeria: Grupi punues jo-formal diskutoi për problemet në prokurimin publik
Foto Galeria: Grupi punues jo-formal diskutoi për problemet në prokurimin publik
Foto Galeria: Grupi punues jo-formal diskutoi për problemet në prokurimin publik
Foto Galeria: Grupi punues jo-formal diskutoi për problemet në prokurimin publik