Gjykata Themelore Prishtinë fiton Çmimin për Gjykatën më Transparente

Prishtinë 30 shtator 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosovo me mbështetjen e USAID Kosovo Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë sot kanë ndarë “Çmimin për Gjykatën më Transparente”. Gjykata Themelore Prishtinë e fitoi sot këtë çmim për kontributin e vazhdueshëm në ngritjen e transparencës së gjykatës përmes publikimit të aktgjykimeve në web-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës, duke përfshirë 4 degët e saj (dega në Podujevë, dega në Graçanicë, dega në Lipjan dhe dega në Gllogoc), është gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara gjatë periudhës nëntor 2019 – gusht 2020. Gjatë kësaj kohe, kjo Gjykatë ka publikuar 4,000 aktgjykime, numër ky që është katërfishuar në krahasim me periudhën paraprake të monitorimit (676 aktgjykime gjatë periudhës maj-nëntor 2019).

Detajet e këtij monitorimi do të dalin edhe në raportin që FOL dhe BIRN do të publikojnë së shpejti.