Forumi FOL Hapur me Ambasadorin e Holandës në Kosovë z. Robert Bosch

Prishtinë, 27 nëntor 2014 – Lëvizja FOL, në kuadër të Forumit “FOL Hapur”, ka organizuar panel-diskutimin me Ambasadorin e Holandës në Republikën e Kosovës, z. Robert Bosch, dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL falënderojë z. Bosch për kontributin dhe përkrahjen që Shteti Holandezë si vend anëtare e Bashkimit Evropian ka dhënë për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe perspektiven e saj evropiane. Ai tha se ne kemi ftuar z. Bosch në këtë forum për të diskutuar për prioritet e qeverisë së re, sundimin e ligjit, zhvillimi ekonomik dhe perspektiva e shtetit Holandezë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ambasadori Bosch, falënderoi Lëvizjen FOL për ftesën dhe organizimin e këtij forumi. Ai tha se pas një procesi të gjatë pritjesh Kosova pritet të bëhet me institucione brenda dhjetë ditëve. Sipas tij në Kosovë ka më shumë nevojë që të konstituohet Parlamenti se sa Qeveria sepse sipas tij nga funksionimi i Kuvendit varet edhe funksionimi i shumë institucioneve dhe agjencive tjera shtetërore që kanë pësuar ngecje gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore. Ai tha se Qeveria e re ka shumë punë dhe sfida para vetës, e ndër më të rëndësishmet është sundimi i rendit dhe ligjit dhe lufta kundër korrupsion si ndër sfidat më serioze për Kosovën. Plotësimi i sistemit të drejtësisë me numër shtesë të gjykatësve dhe prokurorëve duhet të vazhdojë dhe gjithashtu ky sistem duhet të krijojë pavarësi në funksionimin e tij në mënyrë që të ketë rikthim të besimit të qytetarëve në këtë sistem.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, Ambasadori Bosch theksojë se ekonomia është e ndërlidhur me të ardhmen e qytetarëve të një vendi. Ai tha se jemi dëshmitarë ku ditëve të fundit shohim largime masive të të rinjve dhe kjo do të thotë se ata nuk shohin të ardhme në këtë vend dhe pikërisht për këtë qeveria e ardhshme e Kosovës duhet fokusuar në zhvillimin ekonomik. Unë u kam sugjeruar liderëve institucional që buxheti i Kosovës nuk duhet shpenzuar në import, mirëpo duhet të fokusohet në investimet e prodhimtarisë vendore e sidomos në sektorin e bujqësisë ku Kosova ka shumë potencial. Garantues i zhvillimit ekonomik sipas Ambasadorit Bosch është sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë. Në këtë kontekst ai potencoi edhe problemin e energjisë elektrike, i cili sipas tij është një sektor i paqëndrueshëm në Kosovë dhe i lidhur ngushtë më zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ambasadori Bosch foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst ai tha se shumë marrëveshje nuk janë zbatuar që nga arritja e tyre ndërmjet dy palëve dhe për këtë palët janë justifikuar se ka pasur zgjedhje në Serbi dhe pastaj edhe në Kosovë. Mirëpo sipas tij kjo tashmë ka përfunduar dhe se palët duhet ti përmbyllin marrëveshjet e arritura përmes zbatimit të tyre. Bashkimi Evropian i ka vendos disa kushte Serbisë që kanë të bëjnë me kapitullin 35, ku Serbia duhet të përmirësojë raportet e saj me vendet fqinje e sidomos me Kosovën, për këto arsye vazhdimi i dialogut është i rëndësishëm për Kosovën.

Fotografi Robert Bosch (2)Fotografi Robert Bosch (1)