Forumi FOL Hapur me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, znj. Tracy Ann Jacobson

Prishtinë, 06 nëntor 2014. Lëvizja FOL, në kuadër të Forumit “FOL Hapur”, ka organizuar panel-diskutimin me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, znj. Tracy Ann Jacobson, dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL duke falënderuar znj. Jakobson për kontributin dhe ndihmën e Qeverisë Amerikane dhënë Kosovës tha se në këtë debat do të diskutohet për tre çështje: Sfidat dhe toleranca fetare në Kosovë dhe lufta kundër terrorizmit, lufta kundër korrupsionit si dhe zhvillimet e fundit politike të pas zgjedhjeve të 8 Qershorit.

Ambasadorja Jacobson, tha se Kosova ka shumë avantazhe sa i përket tolerancës ndër-fetare. Ajo tha se në Kosovë ka traditë të respektimit të diversitetit fetar ku jemi dëshmitarë se kemi dialog në mes bashkësive të ndryshme fetare në Kosovë, ku jemi edhe dëshmitarë se festat religjioze festohen bashkë nga anëtarët e bashkësive të ndryshme fetare. Sipas saj, sfidë serioze në këtë drejtim do të jetë rregullimi i bazës ligjore e cila rregullon statusin ligjor të bashkësive fetare në Kosovë. Ajo tha se Qeveria Amerikane ka falënderuar shtetin e Kosovës për angazhimet dhe veprimet ligjore dhe ato në hetimin dhe ndjekjen e të dyshuarve për terrorizëm si dhe bashkimin e Kosovës në aleancën globale për luftimin e terrorizmit. Ajo bëri thirrje për shoqërinë kosovare, që të promovojë më tuje islamin tradicional të saj duke thënë se sfidat e ideologjive radikale nuk kërkojnë vetëm veprime ligjore por gjithashtu edhe politika që adresojnë faktorët social që nxisin qytetarët të largohen nga komuniteti i tyre dhe të luftojë në lufta të huaja.

Ambasadorja Jacobson foli edhe sa i përket korrupsionit në Kosovë duke thënë se do të jetë sfida më serioze e Kosovës në aspektin afatgjatë të saj. Qeveria Amerikane ka qenë dhe do të jetë e fokusuar në ofrimin e asistencës se saj në përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve dhe krijimin e mekanizmave ligjor për të luftuar korrupsionin, mirëpo përgjegjësia kryesore bie mbi qytetarët e Kosovës dhe liderët e tyre. Korrupsioni nuk është një fenomen i vetëm një partie ose sektori dhe për këtë nevojitet ndryshim i kulturës politike dhe shoqërisë. Ambasadorja përmendi përvojën e saj në Letoni, duke thënë se shtetet dhe shoqëritë mund të ndryshojnë dhe së bashku të përballen me sfidat e luftimit të korrupsionit dhe ajo bëri thirrje drejtuar të rinjve dhe në veçanti grave të bëjnë ndryshime në politikën kosovare.

Znj. Jacobson gjithashtu foli edhe për zhvillimet politike të pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë. Sipas saj, është koha e fundit ku duhet të veprohet rreth gjetjes së një zgjidhje të kësaj krize politike dhe të konstituohen institucionet e vendit. Ajo ndau frustrimin e saj me rrjedhën tepër të ngadalshme të formimit të institucioneve, sepse sipas saj kjo vonesë po rëndon më shumë gjendjen ekonomike dhe po çon institucionet publike drejt një krize financiare. Gjithashtu sipas ambasadores për shkak të mos funksionimit të Kuvendit kanë mbetur shumë ligje pa u miratuar nga ky institucion si dhe çështja gjykatës speciale, Forcave të Armatosura etj.

Ambasadorja theksojë se ngërçi politik është duke u karakterizuar me qëndrimet e palëve kundërshtare të pozicionuar për “gjithçka ose asgjë”, sikurse që është refuzimi i PDK-së për të thirrur seancën parlamentare apo që VLAN të organizojë protesta në rrugë, në vend që duke bërë punën e nevojshme për të arritur kompromis dhe për të arritur ndërtimin e konsensusit nga palët e involvuara. Ambasadorja Jacobson shprehu mbështetjen për përpjekjet e Presidentes Jahjaga për të sjellë së bashku krerët e partive për të gjetur një zgjidhje. Sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja, ambasadorja ka thënë se kushtet aktuale ligjore nuk japin mundësi për zgjedhje të reja, dhe vuri në dukje se një hap i tillë do të vonojë më tej veprimet e nevojshme, pa garancinë e rezultateve të qarta dhe vonesa të tilla rrezikojnë edhe më tej imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

[av_video src=’https://www.youtube.com/watch?v=k190C_iJ4cg’ format=’4-3′ width=’16’ height=’9′]