Tryezë diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik në Gjilan

Gjilan, 24 Korrik 2014 – Lëvizja FOL ka organizuar sot tryezë diskutimi me temën “Aktivitetet e Prokurimit Publik në periudhën e parë gjashtë (6) mujore të vitit”, në të cilën është diskutuar përmbledhja e të dhënave statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në komunën e Gjilanit.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet mbi problemet dhe parregullsitë e mundshme që i shoqërojnë zhvillimin e procedurave të prokurimit publik në komunën e Gjilanit. Ai më tutje vazhdoi me të gjeturat e raportit për këtë komunë duke theksuar se gjatë periudhës së parë 6 mujore të këtij viti Komuna e Gjilanit ka shpallur gjithsejt 23 Njoftime Kontrate, 30 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 3 Njoftime Anulimi, 9 Anulime të Dhënies së Kontratës. Në këtë periudhë kohore Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk ka marrë asnjë vendim kundër komunës së Gjilanit. Për sa i përket problemeve që në përgjithësi janë prezente në prokurimin publik, ai theksoi problemin e mos-standardizimit të procesit të hartimit të dosjes së tenderit, çmimeve jo-normalisht të ulëta, mos-koordinimit në mes të institucioneve të ndryshme dhe jo-profesionalizmit të komisioneve të vlerësimit.

Fjalën e mori drejtori i i departamentit të prokurimit Nazmi Halili, i cili tha se problemet e evidentuara nga FOL pjesërisht qëndrojnë edhe për komunën e Gjilanit. Ai vazhdoi duke thënë se si zyre e prokurimit kanë ende mangësi edhe në vënien e kontakteve me KRPP-në dhe se zbrazëtirat që ekzistojnë në Ligjin e Prokurimit Publik po shkaktojnë vështirësi në implementimin e procedurave. Për sa i përket presioneve nga jashtë ai tha se deri më tani nuk kanë përjetuar një gjë të tillë dhe se po mundohen të jenë sa më transparent karshi qytetarëve dhe palëve të interesuara.

Kurse, kryesuesja e asamblesë komunale Valentina Bunjaku-Rexhepi-asambleiste nga radhët e LDK-së theksoi se për pushtetin e ri janë tejet sfiduese borxhet e trashëguara nga pushteti i kaluar dhe se po bëjnë përpjekje maksimale për mirë menaxhimin dhe ruajtjen e parasë publike. Ndërsa sa i përket dërgimit të disa dosjeve në prokurori nga ana e asambleistëve të opozitë, gjegjësisht PDK-së, ajo tha se kjo ka qenë më shumë për marketing politik se sa që ka pasur përmbajtje.

Në anën tjetër Sami Hoxha- përfaqësues i PDK-së në Gjilan tha se si parti opozitare po e bëjnë më të mirën e mundshmë që duke i përdorur të gjitha instrumentet demoktratike të bëjnë opozitë të mirëfilltë dhe të ndihmojnë pushtetin për qeverisje sa më të mirë të komunës. Më tej ai tha se është shumë herët për të bërë vlerësim për punën e pushtetit të ri të Gjilanit.

Galeria e aktivitetit

Tryeze diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik ne Gjilan2Tryeze diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik ne Gjilan