FOL: Pasuria e paligjshme nuk trajtohet me projekt-ligjin aktual

Prishtinë, 30 mars 2012 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën me temë: “Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”. Qëllimi i kësaj konference ishte që të debatohet për rëndësinë e këtij ligji në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke marrë parasysh njëherazi edhe përvojat rajonale, përkatësisht Shqipërinë, në lidhje me hartimin dhe zbatimin e këtij ligji.
Panelistë në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, nga Prokuroria e Qarkut, Profesor nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës dhe nga Prokuroria për Krime të Rënda të Shqipërisë.
Hulumtuesi nga Lëvizja FOL, Admir Salihu, tha se “Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon ligjore Kundër korrupsion, ku bën pjesë edhe FOL, ka zhvilluar disa takime konsultative, ku është analizuar përmbajtja e versionit fillestar të draft-ligjit për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Ky forum ka konkluduar se drafti aktual i ligjit nuk i përmbush standardet themelore dhe për këtë ky forum ka ofruar katër rekomandime për parimet bazë të këtij ligji”, tha Salihu.

Prokurorja e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, tha se “ka pasur raste të luftimit të krimit, por nuk ka pasur konfiskim të pasurisë, sipas saj ky ligj do ta reduktoj këtë dukuri. Konfiskimi përveç se është dënim është edhe parandalim”, tha Hajdari. Sipas saj, projektligji bën dallim mes sekuestrimit dhe konfiskimit, sekuestrimi është masë e përkohshme, ndërkaq konfiskimi ka të bëj më marrjen përfundimtare të ndonjë pasurie, e cila kalon në pronësi të shtetit dhe pronarit nuk ka mundësi ti kthehet ajo pasuri.
Përfaqësuesi nga Ministria e Drejtësisë, Baki Gimolli, tha se “Projektligji për konfiskimin e pasurisë është ende në fazën fillestare. Draftin fillestar e kemi dërguar tek të gjithë akterët e tjerë për komente të ndryshme. “Me 5 prill do të jetë takimi i radhës dhe prezent do te jenë edhe akterët tjerë, por edhe këto rekomandime do ti trajtojmë një nga një” tha Gimolli.

Profesori i Procedurës Penale në Universitetin e Prishtinës, Azem Hajdari, tha se “ky debat është shumë i rëndësishëm sepse ka përfshi të gjithë akterët relevant, por edhe për faktin se ky draft-ligj është në procedurën drejt finalizimit dhe do të jetë një sugjerim i mirë për Ministrinë e Drejtësisë që të mbledh këto konkluzione dhe në fund ta hartoj një draft, i cili ofron zgjidhje të problemit. Hajdari në prezantimin e tij u fokusua në 4 rekomandimet e Forumit Këshillues të OJQ-ve, të cilat i cilësoj si shumë të rëndësishme për këtë ligj. “Emërtimi i ligjit duhet të ndryshoj. Vepra penale është njëra prej mënyrave më të vrazhda për të fituar pasuri, por nuk është e vetmja. Edhe pa kryer vepra penale mund të fitohet pasuria. Pa këto vërejtje dhe pa përfshirjen e tyre, ky ligj nuk do të ketë asnjë vlerë”, tha Hajdari.

Ndërkaq, Besnik Muçi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Republikën e Shqipërisë ka ndarë bazën ligjore dhe përvojën e tij në Shqipëri sa i përket kësaj fushe. Pasi shpalosi legjislacionin në fuqi dhe mënyrën se si e rregullon ai konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ai tregoi edhe për rezultatet që i kanë pasur në këtë drejtim që nga miratimi i Ligjit Anti-Mafia. “Që nga miratimi I Ligjit Anti-Mafia janë paraqitur në Gjykatë 40 kërkesa për konfiskim të pasurive, disa edhe janë rrëzuar. Janë konfiskuar dhe kaluar në pronësi të shtetit pasuri si banesa, apartamente, tokë, vlera monetare, mjete motorike etj., me një vlerë rreth 10 milion Euro”, tha Muci.

Rekomandime e dala nga konferenca

1. Duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njëjtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji. Forumi rekomandon që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale).
2. Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.
3. Ky draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
4. Sugjerohet krijimi i mekanizmave të veçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.
5. Rekomandohet Ministria e Drejtësisë që të gjej hapësirë në kuadër të dispozitave të këtij ligji të vendos edhe çështjen e pasurisë që mund të jetë pa titullar.

Galeria e aktivitetit

g210

g29

g28

g27

g26

g25

g24

g23

g22

g21

foto (81)