FOL: Ligji i Prokurimit Publik pamundëson transparencën

Prishtinë, 26 mars 2012 – Lëvizja FOL ka publikuar sot “Analizën për Ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik – në kontekst të Parimit të Transparencës”. Qëllimi i kësaj analize ligjore është të vejë në pah se deri në çmasë ka arritur Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës të parashohë zbatimin e parimit të transparencës në procedurat e prokurimit publik.

Sipas koordinatorit të projektit, Armend Pajaziti, “versioni i ri i ligjit, i aprovuar në gusht të vitit 2011, përsëritë shumicën e të metave të ligjit të mëhershëm”. Më tej, ai ka shtuar se “ky ligj është ende larg standardeve të BE-së në fushën e prokurimit publik, gjë që e konfirmon edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2011”. Gjithashtu, sipas tij “ky ligj nuk përmbushë nevojat e kërkuara për procedura transparente, madje disa procedura të reja prokurimi janë rregulluar në atë mënyrë që edhe përjashtojnë mundësinë e informimit të publikut dhe lënë mundësi për përjashtimin nga konkurrenca të Operatorëve Ekonomikë”.

Ndërkaq, analisti ligjor në këtë lëvizje, Admir Salihu, duke vënë në pah dobësitë e shumta të këtij ligji, ka theksuar se “pothuajse asnjë nga rekomandimet e shoqërisë civile nuk është marrë parasysh nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”. Sipas tij, “një nga çështjet problematike që e cenon drejtpërdrejt zbatimin e parimit të proklamuar të transparencës në aktivitetet e prokurimit është edhe pika që flet për përjashtimet e aktiviteteve të caktuara të prokurimit (neni 3, paragrafi 1)”. Më tej, ai ka potencuar se “ky ligj i jep mundësinë Qeverisë që të përjashtojë nga fushëveprimi i këtij ligji aktivitetet e caktuara të prokurimit, me cka vihet në dyshim transparenca e shpenzimit të parasë publike të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, duke folur për paqartësitë e shumta që e karakterizojnë fushëveprimin e institucioneve kryesore të prokurimit, KRPP-së dhe OSHP-së, ai ka pohuar se “duhet të rishikohen kompetencat e institucioneve të prokurimit publik, duke qenë se ekziston një konfuzion i madh në mesin e KRPP-së dhe OSHP-së, se cili është interpretuesi përfundimtar.

Në fund të kësaj konference janë dhënë edhe rekomandime të shumta për ndryshimin e këtij ligji.