FOL kërkon rritje të transparencës për projektin e autostradës

Aktivistët e lëvizjes “Fol”, nëpërmjet një marshi simbolik nëpër fshatrat e Prizrenit nga pritet të kalojë traseja e autostradës Vërmicë-Merdare, i kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ngrenë nivelin e transparencës në lidhje me jetësimin e këtij projekti madhor.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vlerësuar se mos publikimi i detajeve në lidhje me kontratën për ndërtimin e kësaj rruge vetëm rrit dyshimet për keqpërdorime të mundshme të fondeve publike.

“Sot, jemi këtu për të mbështetur përpjekjet e gjithë shoqërisë kosovare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mungesa e transparencës përbën një indikator të fuqishëm për korrupsionin. Investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë është pikërisht rruga e kombit, që do të merr diku 25 për qind të prodhimit bruto të vendit. Ne jemi këtu për të kërkuar transparencë për investimet që do të bëhen në këtë projekt”, ka thënë udhëheqësi i Lëvizjes “Fol”, Ramadan Ilazi. Ai ka sqaruar se nisma për të vizituar fshatrat Vërmicë, Zhur e Shpenadi lidhet me faktin se nëpër këto lokalitete pritet të kalojë traseja e autostradës dhe se banorët e këtyre vendbanimeve kanë ngritur shqetësime të ndryshme në lidhje me ecurinë e procesit të shpronësimit të tokave në pronësi private.

“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, përkundrazi e mbështesim ndërtimin e saj, mirëpo kërkojmë që kjo rrugë të ndërtohet mbi bazën e transparencës së plotë dhe në mënyrë të drejtë, duke i lejuar hapësirë gjithë atyre qytetarëve që kanë ankesa legjitime që ato të trajtohen në mënyrë korrekte”, ka deklaruar Ilazi. Banorët e këtyre anëve kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me vlerësimin e pronave të tyre nga ana e institucioneve dhe, në të njëjtën kohë, janë ankuar se premtimet që kanë marrë nga udhëheqësit e dikastereve të qeverisë qendrore nuk janë respektuar.

“Sa i përket kompensimit të shpronësimit në Vërmicë, banorët janë të pakënaqur me Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Kemi pas premtime të herë pas hershme edhe nga ministri Limaj dhe pushteti lokal i Prizrenit, të cilat nuk janë realizuar asnjëherë. Jemi të pakënaqur me shpronësimin dhe shumica e banorëve i janë drejtuar Gjykatës Supreme në lidhje me këto pakënaqësi, siç janë vlerësimi i shtëpive të banimit, oborreve e tokës, pasi çmimi është tejet i ulët – 800 euro për një ar, derisa për shtëpi banimi është 210 euro për një metër katrorë, ku vlerësimi bëhet edhe sipas vjetërsisë së shtëpive…”, ka theksuar Fehmi Fanaj nga Vërmica.

Ai ka cilësuar se aktiviteti i shoqërisë civile është i vonuar ngase procesi i shpronësimit është në zbatim e sipër. Edhe Hulusi Badallaj nga fshati Zhur ka thënë se prona e tij nuk është vlerësuar sa duhet.

Aktivistët e Lëvizjes “Fol” insistojnë që institucionet përgjegjëse të bëjnë publike kontratën për ndërtimin e autostradës nga konsorciumi “Bechtel&Enka”, të bëjnë publike procesin e tenderimit dhe të dokumentacionit që tregon arsyet e përzgjedhjes së këtij konsorciumi, pastaj kërkojnë angazhim të shtuar të legjislativit për monitorim dhe kërkim të llogaridhënies për këtë projekt, të bëhen publike projekt-buxheti dhe kostoja përfundimtare për ndërtimin e autostradës, kohëzgjatja e punimeve, shpalosja e detajeve rreth procesit të vlerësimit dhe shpronësimit të pronave private, si dhe rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile