FOL Hapur me z. Fatmir Limaj, kryetar i NISMA për Kosovën

Prishtinë, 15 Dhjetor 2016 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot Forumin FOL Hapur, ku i ftuar ishte z.Fatmir Limaj, kryetar i Nisma për Kosovën.  Petrit Zogaj, drejtor i FOL-it, tha se në këtë bashkëbisedim do të flasim për dialogun në Bruksel përballë murit në Mitrovicë, Demarkacioni si pengesë për liberalizim të vizave dhe bilanci dy vjeçar i Qeverisë dhe koalicionet parazgjedhore.

Ndërkaq, Fatmir Limaj tha se jemi në dy ditët e fundit të fushatës parazgjedhore, dhe në Drenas ka erë ndryshimi, dhe se rezultatet e 4 dhjetorit kanë treguar që qytetarët janë të gatshëm të ndëshkojnë ata që qeverisën për këto vite atje e duke mos dhënë llogari. “Ndryshimi që po vjen në Drenas është reflektim i gjendjes së përgjithshme në vend. Normalisht se shteti është duke kërcënuar dhe frikësuar qytetarët. Ndryshimi do të ndodh të dielën”, tha Limaj sa i përket zgjedhjeve në Drenas.

Ndërsa për dialogun me Brukselin dhe murin në veri, Limaj tha se krejt çka po ndodh tani, është rezultat i marrëveshjes së 19 prillit nga bisedimet në Bruksel.  “Kosova është vënë në një pozicion të vështirë nga ato bisedime që në fillim u tha do të jenë teknike. Ky dialog i ka sjell dëme të mëdha vendit, e ka sjellë fusnotën, asociacionin, ndarjen e gjykatave, ndarjen e doganave e shumë të këqija tjera”, tha Limaj. Sipas tij, është qesharake që politikanët tanë merren me gjatësinë, gjerësinë apo lartësinë e murit, mirëpo përfundimisht muri e ndan vendin duke bërë që në atë pjesë të formohen institucione vetëqeverisëse. “Dialogu ka filluar me vetë ofrim nga pala kosovare. Nuk jemi kundër dialogut me shtetet fqinje por duhet të ketë agjendë. Ne sot kemi bërë Serbinë vendimmarrëse në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, për sa i përket demarkacionit si  kusht për liberalizim të vizave, Limaj tha se qeveria ka rënë në kurth të vetin, sepse duke menduar se i kanë votat edhe kanë kërkuar që demarkacioni ta kenë si kusht për vizat. “Demarkacioni me të gjitha vendet e rajonit është shumë i rëndësishëm. Mendoj që tërë përgjegjësia për ato pamje kundërshtuese dhe për mos liberalizimin e vizave e ka pushteti”.

Sa i përket qeverisjes dy vjeçare të Isa Mustafës, Limaj tha se fatkeqësisht nuk mund të numëroj asnjë sukses të kësaj qeverie. “Nuk ka investime, gjendja në institucione publike qoftë në arsim apo shëndetësi nuk ka asnjë përmirësim”, tha Limaj, duke shtuar se kjo gjendje e krijuar do të bëj që vendi shumë shpejt të shkoj në zgjedhje.

Sipas tij, në zgjedhje do të shkohet si pasoj e pakënaqësive jo vetëm të opozitës po edhe të qytetarëve. Limaj deklaroi se shpreson që zgjedhjet të mbahen para fillimit të punës së Gjykatës Speciale.

img_1931 img_1945 img_1956 img_1962