FOL Hapur me ministren e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami

Prishtinë, 23 Mars 2017 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation ka mbajtur debatin e radhës në formatin FOL Hapur me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, tha se me ministren Bajrami do të diskutohet rreth punës së kësaj ministrie për këtë periudhë të mandatit, rreth veprimeve që janë realizuar si dhe punëve që janë në proces.

Ministrja Bajrami vlerësoi këtë lloj diskutimi duke thënë që është mundësi shumë e mirë për të shpalosur punën e ministrisë që ajo drejton. Duke qenë një ministri e cila ka një portfolio mjaft të gjerë e që përfshin edhe 7 agjencione, ministrja Bajrami tha se kjo ministri gëzon mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është rregullatore e klimës së biznesit si dhe ka përgjegjësi për politikat tregtare dhe industrial. Ajo shtoi se me mbështetjen e qeverisë kanë pasur në fokus përmirësimin e klimës së investimeve. “Ambienti i biznesit është përmirësuar, këtë e ka pranuar edhe Banka Botërore, asociacionet e biznesit si dhe bizneset në Kosovë”, tha ministrja Bajrami.

Për më tepër, sipas ministres, është punuar edhe në përafrimin e legjislacionit, ku janë miratuar 10 ligje, ndër to me rëndësi më të veçantë edhe ligji për investime strategjike. Ky ligj ka mundësuar që të hapet rruga për investime të huaja, siç ka ndodhur me disa kompani kanadeze të cilat kanë kërkuar statusin e investitorit strategjik. Deri më tani, sipas saj, janë nënshkruar 32 kontrata me investitorët e huaj të cilët kanë shprehur interesim që të investojnë në Kosovë.

Ministrja Bajrami tha se në vitin 2015 kemi dhënë një numër të madh të granteve kompanive kosovare të cilat kanë pas edhe sukses ku njëra prej tyre ka filluar edhe eksportimin e produkteve të saj.  Numri i bizneseve të regjistruara janë 10 mijë e 500, ku gjatë vitit 2015 ka pasur një trefishim të bizneseve ndërsa në vitin 2016 ka pas dyfishim të regjistrimit të bizneseve” tha ajo duke shtuar vërehet edhe rritja e madhe e bizneseve me pronare gra.  Sa i përket shuarjes së bizneseve, ajo tha se deri më tani janë shuar 20 për qind të bizneseve.

Ministrja Bajrami ndër tjerash tha se gjatë mandatit të saj kanë licencuar 8 zona ekonomike të cilat do të ofrojnë një infrastrukturë të mirë për ato zona.  “Kemi licencuar 8 zona ekonomike, një zonë në parkun e  Drenasit, dy zona në Suharekë, një park në Lipjan kemi investuar 200 mijë euro në zonën industriale në Mitrovicë  do të mundohemi të ofrojmë infrastrukturën në këto zona”, ka treguar ajo duke shtuar se kemi rritur numrin e standardeve, bashkëpunimi me Shqipërinë është i mirë dhe janë duke punuar që të kenë  lidhje direkte me Bashkimin Evropianë në lidhje me standardet.

Ministrja Bajrami tha se aktualisht në MTI nuk ka asnjë zyrtarë nën hetime që punon dhe të gjithë ata zyrtarë të cilët janë nën hetime janë suspenduar nga puna.