Fituese e tenderit milionësh, në mënyrë të dyshimtë

Prishtinë, 30 Prill 2019 – Dy interpretime të ndryshme të Ligjit të Prokurimit Publik janë dhënë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, duke ia mundësuar kompanisë “AL TRADE” Sh.P.K, si operator ekonomik, përfitimin e tenderit prej rreth 8 milion euro për ndërtimin e klinikës emergjente në QKUK nga autoriteti kontraktues Ministria e Shëndetësisë.

Procesi i prokurimit, i cili ka zgjatur për rreth dy vite dhe në të cilin kanë marrë pjesë 13 kompani, ka përfunduar pas vendimit të OSHP-së i cili e ka cilësuar si të përgjegjshme kompaninë “AL TRADE”, pavarësisht faktit që eksperti i këtij institucioni e ka cilësuar si të papërgjegjshme të njëjtën.

Përveç kësaj edhe OSHP-ja të njëjtën kompani, për të njëjtën çështje, e kishte cilësuar si të papërgjegjshme në vendimin paraprak. Një gjë e tillë konfirmohet nga procesverbali i vendimit të OSHP-së që është i qasshëm për publikun dhe i cili është i publikuar në uebfaqen e OSHP-së me datë 26 nëntor 2015.

Në një përgjigje të ekspertit shqyrtues për panelin thuhet se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë ka ofruar marrëveshje me operatorin ekonomik te licencuar IBMS, pra me të njëjtin laborator i cili sipas vendimit të parë të OSHP-së cilësohet si i palicencuar.

Megjithatë OSHP-ja, për herë të dytë, gjegjësisht përmes një vendimi të datës 12 maj 2016, ka bërë një vlerësim tjetër nga vlerësimi paraprak ku e kishte cilësuar si të papërgjegjshme këtë kompani. Sipas këtij vendimi: “Operatori i rekomanduar për kontrate e ka ofruar një para-kontratë me laboratorin IBMS dhe certifikatën e biznesit të këtij laboratori”. Tenderët e pa-përgjegjshëm – tender i cili nuk është në përputhje me:

  1. a) Dosjen e tenderit, duke përfshirë kërkesat teknike dhe kontraktuale;
  2. b) Kërkesat e legjislacionit relevant të Kosovës; dhe
  3. c) Ose të cilët përndryshe nuk përmbushin kërkesat e autoritetit kontraktues siç janë specifikuar në dosjen e tenderit.

Autoriteti kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit.

 

Përkundër faktit që kjo kompani operon në Kosovë që 18 vite,  e njëjta vetëm në vitet e fundit është shndërruar në një prej përfitueseve më të mëdha të tenderëve publikë.

 

Sipas portalit të Prokurimit të Hapur që nga viti 2010 kjo  kompani, duke përfshirë këtu edhe kompaninë “Al Trade Holding” me të njëjtin pronar,  ka përfituar me mbi 41 kontrata publike me të cilat kanë përfituar 148,960,638.00 euro nga buxheti i shtetit.

 

Nga: Violeta Blakçori, Adelina Mexhuani, Erblina Sopi.

Ky raport është shkruar nga Violeta Blakçori, Adelina Mexhuani, Erblina Sopi pas mbajtjes së punëtorisë: “Hulumtimi në prokurimin publik përmes Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent”.