Vendime pak, korrupsion shumë

Prishtinë, 3 mars – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për media, me ç’rast është publikuar raporti vjetor “Monitoruesi i Korrupsionit 2012”, i cili paraqet të gjitha aktivitetet e Institucioneve Përgjegjëse për Luftimin dhe Parandalimin e Korrupsionit për periudhën Janar-Dhjetor 2012.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL tha se “lufta kundër korrupsionit jo vetëm që ende është e bazuar në premtime publike pa asnjë mbështetje në veprime praktike ajo ka marrë edhe një tjetër dimension duke e konsideruar luftën dhe politikat anti-korrupsion vetëm si kriter dhe presion i bashkësisë ndërkombëtare duke mos marrë parasysh rrethanat dhe nevojat kontekstuale”. Ai me tej shtojë se “progresi në luftë kundër korrupsionit mbetet njëri nga kriteret më të rëndësishme të integrimit të Kosovës në BE, misioni i BE në Kosovë për sundim të ligjit EULEX i cili si përgjegjësi ka edhe luftimin e korrupsionit ka qenë jo efektiv sa i përket luftimit të korrupsioni ku një kritik të tillë ky mision e ka marrë edhe nga Gjykata e Auditorëve Evropian”.

Ndërkaq Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL, theksoi se “ky raport politikash dëshmon mungesën absolute të seriozitetit të institucioneve publike për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin”. Më tutje, ai ka pohuar se “institucionet përgjegjëse për luftimin e korrupsionin nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme dhe të nevojshme për ta reduktuar nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet publike”.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, Qeveria e Kosovës përgjatë vitit 2012 ka nxjerrë vetëm 5 vendime në luftë kundër korrupsionit: a) miratimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Korrupsion për vitin 2013-2017; b) themelimi i Komisionit Ekzekutiv (në të cilën përfshihen Politikat Anti-Korrupsion dhe Gjyqësori); c) shkarkimi i dy anëtarëve të bordeve, njëri anëtar i Bordit të Drejtorëve të KUR “Hidrodrini”, SH.A. Pejë, si dhe tjetri anëtar i bordit të drejtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK); d) miratimi i projektligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale; f) miratimi i dy koncept dokumenteve: hartimi i projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, si dhe hartimin e projektligjit për plotësim- ndryshimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Më tej, sipas këtij raporti thuhet se gjykatat e rregullta komunale të Kosovës kanë trashëguar nga vitet paraprake gjithsej 197 lëndë. Po këto gjykata gjatë gjithë vitit 2012 kanë pranuar në punë gjithsej 169 lëndë, ndërkaq si lëndë në punë që janë në proces të shqyrtimit janë gjithsej 366. Gjykatat e rregullta komunale gjatë 2012 kanë zgjidhur gjithsej 148 lëndë. Ndërkaq, në fund të periudhës raportuese, kanë mbetur gjithsej 218 lëndë të pazgjidhura.

Ndërkaq sipas statistikave të prokurorisë, të ndërlidhura me fushën anti-korrupsion, rezulton që ato kanë trashëguar nga vitet e mëparshme gjithsej 802 lëndë. Gjatë po kësaj periudhe 1 vjeçare janë pranuar 376 lëndë të reja. Janë ngritur 140 propozim-akuza dhe 132 aktakuza. Rastet e zgjidhura sipas numrit të personave janë 770, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur rreth 990 lëndë. Në fund të periudhës raportuese kanë mbetur pa u zgjidhur 265 kallëzime penale.
Kurse sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), e cila vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, rezulton që gjatë viti 2012 janë kryer hetime ndaj 157 personave, 56 janë arrestuar, 129 janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur, 1 rast është dërguar në prokurori me N/N dhe 19 raste të tjera janë dërguar me raport të Prokurorit.

Dhe Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) gjatë vitit 2012 sipas këtij raporti del se ka qenë kryesisht e fokusuar në tre aktivitete në luftë kundër korrupsionit. Është marrë me deklarimin e pasurisë, si njëri nga obligimet kryesore ligjore të zyrtarëve të lartë publikë, ku sipas AKK gjatë vitit 2012 e kanë përmbushur 91.71% e tyre. Ka shqyrtuar një numër të rasteve të konfliktit të interesit, si dhe ka nxjerrë një analizë mbi ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë.

Galeria e aktivitetit

Vendime pak - korrupsion shume5

Vendime pak - korrupsion shume4

Vendime pak - korrupsion shume3

Vendime pak - korrupsion shume2

Vendime pak - korrupsion shume