FOL Hapur me Presidentin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi

Prishtinë, 4 Prill 2017 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation ka mbajtur debatin në Forumin FOL Hapur ku i ftuar ishte Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi.

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se me Presidentin Thaçi do të diskutohet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, modalitetet e dialogut të Brukselit, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi si dhe zgjedhjet e parakohshme.

Presidenti Thaçi deklaroi se iniciativa e tij që FSK të bëhet ushtri nëpërmjet ligjit është krejtësisht legjitime dhe kushtetuese. “Iniciativën ligjore për transformimin e ushtrisë e kam ndërmarrë, jo vetëm pse është e drejtë e jona ta bëjmë ushtrinë tonë por edhe për shkak se kam konsideruar se Kosova e ka të pamundur anëtarësimin në NATO pa ushtrinë e vet”, tha presidenti. Sipas tij, kjo iniciativë e tij i ka bashkuar të gjithë spektrin politik ndërsa bëri të ditur se  institucionet janë të vetëdijshme për ruajtjen e partneritetin me NATO-n dhe SHBA-të. Presidenti Thaçi tha se dallimi i vetëm qëndron në qasjen që duhet ndjekur për të arritur qëllimin e përbashkët, pasi që NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që ushtria të themelohet përmes ndryshimeve kushtetuese. “Tani së fundi edhe partneret tanë si NATO dhe SHBA kanë konfirmuar gatishmërinë t’i ndihmojnë institucionet tona për të pasur përkrahjen e të gjitha komuniteteve përmes ndryshimeve kushtetuese. Ne nuk duhet të harrojmë se themelimi i ushtrisë është prej momenteve më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë. Andaj, duke qenë plotësisht i përgjegjshëm përmes një procesi transparent që siguron mbështetjen e institucionet tona ende kanë në dispozicion kohën për të bërë dhe përpjekjen e fundit që të kam përkrahjen e të gjithë komuniteteve për transformimin e FSK-së”, tha ai. Presidenti beson se me rikthimin e serbëve në institucione beson se është produktiv. “Andaj dhe shpresoj dhe besoj që ky proces do të përmbyllet me përkrahjen dhe pjesëmarrjen me përfaqësues të komunitetit serb. Duam që edhe komuniteti serb që jeton në Kosovë të jetë pjesë e këtij procesi. FSK është multietnike e po ashtu edhe ushtria e ardhshme do të jetë  multietnike. Do të dëshiroja që një qëllim i tillë jetik të marr mbështetjen e komuniteteve do të bëhet me ndryshime kushtetuese. Në rast të kundërt e kam bërë të qartë se askush s’mund të vejë veto për themelimin e ushtrisë së Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Ndërkaq sa i përket çështjes së demarkacionit, Presidenti Thaçi tha se nëse demarkacioni nuk kalon, Kosova nuk do të ketë viza për disa vite. “Demarkacioni duhet të kalojë dhe më nuk mund të fshihen pas asaj se opozita nuk po voton, pasi partnerët e koalicionit i kanë votat, 80 sosh dhe kjo duhet të ndodhë. Qeveria duhet të lëvizë, partnerët e kanë obligim këtë gjë për hir të liberalizimit”, tha ai.

Lidhur me zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjen e presidentit të ri, Presidenti Thaçi tha se kjo nuk është çështje me të cilën duhet të merret Kosova. Duke qenë shtet fqinj, sipas tij Kosova duhet të angazhohet vetëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. “Ne duhet të kemi linjë komunikimi më Serbinë sepse është në interes të dy shteteve që të evitohen çështje si muri dhe treni.” Sipas tij, Kosova duhet të angazhohet për stabilitet dhe paqe në rajon, pa e mbiçmuar rolin e Serbisë sepse ata janë larguar si humbës nga Kosova dhe nuk do të kthehen më. Më tutje, i pyetur rreth formës së dialogut me Serbinë në Bruksel, presidenti tha: “Mbetet të përcaktohet në Bruksel se si do të vazhdoj dialogu, pra në nivel presidentesh apo edhe siç është tani. Nëse Bashkimi Evropian e sheh të arsyeshme që dialogu të rifilloj në nivel presidentësh, atëherë ashtu do të vazhdojmë”.

Ndërkaq, rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme presidenti Thaçi tha se ky vendim i takon spektrit politik që të vendos për këtë çështje. “Si president do ta respektoj mandatin kushtetues. Nëse ka vullnet të spektrit politik, mund të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Thaçi.