Diskutim rreth transparencës së gjyqësorit

Prishtinë, 7 shtator 2017 – Lëvizja FOL, përmes programit “Kërko Drejtësi”, ka mbajtur sot një takim me akterë të gjyqësorit për të diskutuar rreth transparencës në sistemin gjyqësor në Kosovë. Paneli i përbërë nga Dastid Pallaska, Avokat, Afërdita Bytyçi, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, diskutuan dhe ndanë pikëpamjet e tyre për transparencën në sistemin gjyqësor.

Gersi Gashi, nga Lëvizja FOL, hapi diskutimin me dy çështje thelbësore që janë: publikimin e aktgjykimeve dhe publikimin e arsyeve të mosmbajtjes së seancave gjyqësore. z. Gashi potencoi që publikimi i aktgjykimeve shërben në të mirë të qytetarëve por edhe të gjyqësorit si institucion. Publikimi i aktgjykimeve ndër të tjera, rrit sigurinë juridike, stimulon gjykatësit që të argumentojnë rastet sa më mirë, ndihmon në rritje të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe ndihmon studentët që të kuptojnë më mirë sistemin duke i studiuar raste konkrete.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyçi, potencoi që ndonëse transparenca mbetet prioritet i gjykatës, dhe kjo mund të shihet nga numri i aktgjykimeve të publikuara, është shumë me rëndësi të kuptohet që ka mungesë të madhe të resurseve në gjykata. Ajo shtoi që efikasiteti i gjykatave, sidomos i asaj në Prishtinë, është në rritje dhe si rezultat i kësaj, më shumë lëndë janë zgjidhur, se sa që janë pranuar në gjykatë.

Prokurori Hamiti, theksoi se një efikasitet i tillë në rritje mund të vërehet edhe në prokurori, por shtoi se problem mbetet mos informimi i qytetarëve me punën e prokurorëve.

Një ndër arsyet e mosbesimit të qytetarëve në gjykata dhe prokurori, është mospublikimi i punës së tyre dhe mos informimi i publikut me kohë. Mungesa e transparencës nga vet gjykatat i mundëson  qytetarëve të informohen vetëm nga burime të tjera. Prandaj, është me rëndësi që gjykatat të vazhdojnë me publikimin e vendimeve gjyqësore, të  punohet rreth publikimit të të gjitha vendimeve (përfshirë ato që nuk janë të formës së prerë) dhe  të fillojë publikimi i  arsyeve të mos mbajtjes së seancave. “Rritja e transparencës në punën e gjykatave do të ndikojë në rritjen e besimit të qytetarëve në gjykata”, shtoi Gashi.

Dastid Pallaska, në rolin e avokatit, mbështet fuqishëm publikimin e vendimeve gjyqësore së pari duke i anonimizuar të dhënat personale, për arsye të mos-shkeljes së prezumimit të pafajësisë.  “Ekziston një problem edhe më i thellë, kur flitet për transparencën. Arsyetimi jo profesional i vendimeve dhe mos transparenca në to. Ngase ka raste kur as argumentimi i avokatit, nuk përmendet fare në vendim gjyqësor” theksoi Pallaska.

Pallaska poashtu theksoi se si zgjidhje nuk duhet të jetë ankimi i vazhdueshëm për mungesë gjyqtarësh, ngase sipas tij kjo mund të mbulohet shumë lehtë duke e rritur numrin e bashkëpunëtorëve profesional dhe asistentëve ligjor për gjyqtarë.

Kjo do të ishte një strategji shumë funksionale për zvogëlimin e numrit të lëndëve të vjetra, përgatitjen profesionale të gjyqtarëve të ardhshëm dhe do të ndikonte edhe në rritjen e transparencës.

Në fund, të gjithë panelistët ishin të mendimit që publikimi i aktgjykimeve duhet të bëhet, dhe se gjykatat duhet të informojnë qytetarët me punën e tyre.