Diskutim për draft-raportin “Kërkesa për transparencë në Gjyqësor”

Prishtinë, 28 Shkurt 2017 – Lëvizja FOL, si pjesë e programit “Kërko Drejtësi”, sot ka organizuar një tryezë diskutimi rreth draft raportit për transparencën në gjyqësor. Pjesëmarrësit në diskutim ishin udhëheqës të gjykatave themelore, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe avokatë.

Vjosa Pllana, këshilltare e lartë ligjore në Lëvizjen FOL, paraqiti të gjeturat e raportit ku tregoi që mospublikimi i orareve të seancave dhe të gjitha aktgjykimeve nuk është në linjë me Kushtetutën, Konventat Ndërkombëtare dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, kjo cenon pjesëmarrjen e publikut në punën e gjykatave, e që kjo e fundit ndikon në ulje të besimit të qytetarëve në këto institucione.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, z. Isa Kutllovci, ceku që problemi kyç është mungesa e resurseve që pamundëson të arrihet publikimi i të gjitha aktgjykimeve. Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe përfaqësuesi i KGJK-së, Besnik Ramosaj. Këta të gjithë u pajtuan me gjetjet që kufizimet në publikime të vendimeve nuk janë në linjë me kushtetutën e Kosovës.

Kushtrim Palushi, avokat, theksoi që përderisa nuk janë të gjitha aktgjykimet e qasshme, duke përfshirë edhe ato që nuk marrin formën e prerë, kjo ia pamundëson avokatëve që të mbrojnë interesin e klientëve të tyre në mënyrën më të mirë. Kjo bie në ndesh me të drejtën e gjykimit të drejtë, dhe parimit që palët duhet të kenë mbrojtjen më të mirë të mundshme.

Konkluzionet e kësaj tryeze diskutimi ishin që:

Të alokohet buxhet i caktuar për gjyqësorin e Kosovës, i cili është i nevojshëm për arritjen e publikimit të të gjitha aktgjykimeve, dhe për publikim të gjitha orareve të seancave gjyqësore dhe arsyet e anulimit të tyre.

Të bëhen ndryshimet ligjore për të harmonizuar legjislacionin e tanishëm me Kushtetutën e Kosovës, Konventat Ndërkombëtare, dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të krijohet rregullorja për klasifikim dhe kualifikim të dokumenteve të Gjykatave.

Të  trajnohen stafi i KGJK-së nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtje të të Dhënave Personale për të siguruar që procesi i anonimizimit është në harmoni më legjislacionin.

Të standardizohen të gjitha aktgjykimet në mënyrë që anonimizimi i tanishëm të jetë më efikas, dhe gjithashtu të paraprihet anonimizim i automatizuar.

Ky aktivitet është përkrahur nga Programi Kërko Drejtësi është i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/INL dhe e implementuar nga National Center for State Courts për të mbështetur një zhvillim të fuqishëm të kërkesës për drejtësi në Kosovë të bazuar në dëshmi. Nëpërmjet Programit Kërko Drejtësi, NCSC është duke mobilizuar partnerët e Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) për të vepruar si agjentë të ndryshimit duke nxitur llogaridhënien, transparencën dhe integritetin në sektorin e drejtësisë.