Diskutim me studentë në Pejë rreth transparencës së gjyqësorit

 

Pejë, 28 Prill 2017 – Lëvizja FOL si pjesë e programit “Kërko Drejtësi”, ka organizuar tryezë diskutimi me student/e dhe qytetar/e për transparencën në gjyqësor. Pjesë e panelit në këtë diskutim ishin: Kreshnik Radoniqi, kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë, Ardian Hajdaraj, prokuror në prokurorinë themelore në Pejë, Shqipe Kusari, këshilltare politike në Ministri të Drejtësisë, dhe Gjylbehare Murati, profesoreshë në Universitetin e Pejës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, z. Radoniqi tregoi për sfidat dhe punën e bërë në gjykatë nga koha kur e ka marrur mandatin, me fokus në transparencën e Gjykatës Themelore në Pejë. “Të gjitha vendimet, duke përfshirë edhe ato të formës jo të prerë, duhen të bëhen publike”, tha Radoniqi, duke shtuar për rëndësinë që ka kuptimi i anulimit të seancave gjyqësore në mënyrë që publiku të kuptoj se ku qëndron faji kur një lënde i vonohet drejtësia, apo kur një lëndë parashkruhet.

Ndërkaq, Ardian Hajdaraj nga prokuroria themelore shtjelloi më shumë punën e prokurorisë, me fokus në mundësitë për ngritje të transparencës, gjithmonë duke pasur kujdes të shtuar sa i përket zbulimit të të dhënave për shkak të dëmtimit të hetimeve.

Shqipe Kusari nga Ministria e Drejtësisë, shpjegoi rolin e Ministrisë në krijimin e kushteve për gjyqësor përmes krijimit të legjislacionit, duke u fokusuar në dy parime kryesore për gjyqësorin: transparencë dhe pavarësia me llogaridhënie. “Ministria e Drejtësisë është duke krijuar mekanizma sa i përket llogaridhënies  në Gjykata, duke mos cenuar kështu pavarësinë e tyre”, tha Kusari duke shtuar se janë duke u përpiluar ndryshime në ligje të ndryshme të cilat gjithashtu do të kenë synim ngritjen e transparencës.

Ndërkaq profesoresha nga Universiteti i Pejës Gjylbehare Murati, tregoi më shumë se si transparenca do të thotë qasje në informacion, qasje tek vet gjyqtarët, dhe është e ndërlidhur ngushtë me llogaridhënien e gjyqësorit.

Rreth 80 studentë/e nga Universiteti i Pejës, pjesë e këtij diskutimi shprehen interesim për punën e gjyqësorit, në veçanti rreth punës së kryetarit të gjykatës.  Konkluzionet e këtij debati ishin: publikimin e mos mbajtjes së seancave, publikimin e të gjitha aktgjykimeve, dhe ngritje në përgjithësi të transparencës në gjyqësor.

Ky aktivitet është përkrahur nga Programi Kërko Drejtësi është i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/INL dhe e implementuar nga National Center for State Courts për të mbështetur një zhvillim të fuqishëm të kërkesës për drejtësi në Kosovë të bazuar në dëshmi. Nëpërmjet Programit Kërko Drejtësi, NCSC është duke mobilizuar partnerët e Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) për të vepruar si agjentë të ndryshimit duke nxitur llogaridhënien, transparencën dhe integritetin në sektorin e drejtësisë.