Debat rreth transparencës dhe llogaridhënies në komunën e Podujevës

Podujevë, 21 Maj 2013 – Lëvizja FOL ka organizuar debatin me temën “Puna një vjeçare e Komunës së Podujevës – Transparenca dhe Llogaridhënia”. Panelist në këtë debat ishte z. Agim Veliu, Kryetar i Komunës së Podujevës. Po ashtu, të ftuar të tjerë ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike në këtë komunë, këshilltar komunal, kryetar të bashkësive lokale, media dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Fidan Kalaja, nga Lëvizja FOL tha se “qëllimi i organizimit të këtyre debateve është promovimi i transparencës së institucioneve të nivelit lokal”. Për të arritur këtë FOL po realizon sot këtë debat me kryetarin e Komunës së Podujevës, e që debate të tilla janë dhe do të zhvillohen edhe në komuna tjera të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, tha se “sa herë flitet për llogaridhënie dhe transparencë dihet se bëhet fjalë për buxhetin, shpenzimet, investimet etj”. Ai në pika të shkurta prezantojë rreth buxhetit dhe kategorive të shpenzimeve të tij duke theksuar se “buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2012 ka qenë mbi 17 milion euro, dhe ndonëse nuk është shpenzuar 100 % mund të themi se buxheti është shpenzuar në masën e dëshiruar”, Sipas tij, me këtë buxhet janë realizuar një numër i madh i projekteve ku ndër të tjera kryetari Veliu veçoj investimet në infrastrukturën rrugore, investimet në shëndetësi, në sektorin e bujqësisë, në atë të kulturës, e po ashtu edhe në ndërtimin e 11 shtëpive për rastet sociale etj. “Më e rëndësishme është që gjatë vitit 2012 kemi realizuar 205 procedura të prokurimit ku asnjë procedurë e prokurimit komunës së Podujevës nuk është anuluar dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga operatorët konkurrues për arsye se është respektuar ligji në përpikëri” tha Veliu.

Nexhat Llumnica, nga Lëvizja për Bashkim, tha se kryetari nuk po i përmbush premtimet e dhëna në vitin 2009, sidomos sa i përket përmirësimit të gjendjes në arsim. Ai tha se “ende ka mungesë të shkollave, cilësia është shumë e dobët, kemi arsimtarë që jep mësim në katër lëndë të ndryshme, e ajo më shqetësuesja është dhuna në shkolla, ku nxënësit rrahën nga arsimtarët e tyre”.

Këshilltari komunal nga PDK, Kadri Avdiu tha se mungesa e transparencës vetvetiu të shpie në dyshime se mund të ketë zhvillim të aferave korruptive. Sa i përket raportit financiar që është diskutuar në Kuvend “kemi vërejtur disa mospërputhje në raportin e tre mujorit të këtij viti”, tha Avdiu.

Edhe Naim Qunaku, po ashtu nga radhët e PDK-së, tha se si “çështje shqetësuese konsiderojmë që nuk kemi situatë të kënaqshme si për hartimin e projektbuxhetit, si për raportimet në kuvendin komunal, po ashtu ka pas disa projekte që janë realizuar pa kaluar fare nëpër kuvend”. Sipas tij, është shumë qesharake që për tre mujorin e këtij viti janë shpenzuar rreth 280 mijë euro për mallra dhe shërbime, ndërkaq është po e njëjta shumë edhe për investime kapitale.

Galeria e aktivitetit

Debat rreth transparences dhe llogaridhenies ne komunen e Podujeves

Debat rreth transparences dhe llogaridhenies ne komunen e Podujeves2