Aneks Autoudha Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë rreth 5 milion euro më shumë

Prishtinë, 30 Janar 2019 – Lëvizja FOL ka bërë monitorimin e të gjithë procesit të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan Dheu i Bardhë, i cili që nga fillimi është përcjellë me shumë parregullsi e që buxhetit të shtetit i ka kushtuar 88, 618,511.95 euro.

Nga monitorimi që FOL ka bërë, së fundmi kemi hasur në katër aneks kontrata që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me 4 operator ekonomikë që ishin fitues në tenderin për ndërtimin e mbi 22 kilometrave të kësaj autoudhe. Gjatë vitit 2019, e deri më tani kjo autoudhë e paplanifikuar financiarisht po i kushton buxhetit të shtetit mbi 93 milion euro, pa shtuar këtu edhe miliona të tjerë që kanë shkuar për shpronësime.

Nga kontratat përmes procedurës me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë, kanë nënshkruar aneks kontrata këta operator:

“GRANIT sh.p.k me 1, 843, 392.24 Euro

Companya Eskavatori Sh.p.k me 1,743, 107.70 euro

Gjoka Konstruksion me 438,190.20 euro

AL TRADE HOLDING L.L.C. me 372,660.42 euro

Vlenë të theksohet se operatorët ekonomik AL TRADE HOLDING L.L.C dhe Companya Eskavatori Sh.p.k në kontratat e më hershme ishin në konsorcium me operatorë të tjerë, e që në këto aneks kontrata nuk figurojnë emrat e tyre.

Ajo që është më shqetësuese tri nga këto aneks kontrata janë nënshkruar pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj.

Është me rëndësi të ceket fakti që Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur Plan të Menaxhimit të Kontratës, e i cili parashihet të jetë dokument në procesin e prokurimit, që përfshin në vete aspektet organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore të menaxhimit dhe përmes së cilit plan bëhet monitorimi i punimeve në terren. Andaj, në si Lëvizje FOL, kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, të sqarojë se mbi çfarë baze të vlerësimit ka nënshkruar këto aneks kontrata me operatorët ekonomikë të lartpërmendur kur mungon ky plani i menaxhimit. Punët dhe shërbimet shtesë, përmes këtyre aneks kontratave, i kanë kushtuar buxheti i shtetit plus 4, 397, 065.32 euro.

Lëvizja FOL, në muajin gusht 2019 është informuar nga IAP se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet në kuadër të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Ne, në këtë rast, kërkojmë nga Prokuroria Speciale të tregojë së në çfarë pike kanë arritur hetimet në ndërtimin e autoudhës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Gjithashtu, FOL mirëpret pezullimin e tenderit 110 milionësh për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhe në një kohë kur vendi ende nuk ka buxhet të miratuar për këtë vit dhe nuk kemi zotim të mjeteve për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhe.