Amandamentimet e shpeshta të ligjeve i bëjnë ato komplekse dhe vështirë të zbatueshme

Prishtinë, 30 tetor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin online, me ç’rast ka publikuar raportin Kur ligjet bëhen komplekse dhe vështirë të zbatueshme, i cili paraqet procesin e zbatimit të ligjeve në fuqi dhe ofron të dhëna për rëndësinë e legjislacionit të thjeshtuar dhe konsolidimin e teksteve të ligjeve. Qëllimi i këtij raporti është të identifikoj shkaqet e ndryshimeve dhe plotësimeve të shpeshta që ndodhin në ligje.

Mexhide Demolli-Nimani nga FOL, tha se kjo analizë fokusohet në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave dhe legjislacionit për të parë se ku po ndodh shkëputja e hallkës në mes të politikës dhe legjislacionit të cilat po shpijnë në ndryshime të shpeshta.

Jeton Oruçi, autor i raportit tha se sistemi jonë është mjaft kompleks dhe se ndryshimet e shpeshta të ligjeve krijojnë pasiguri dhe paqartësi të qytetarët, bizneset dhe zyrtarët publik të administratës shtetërore të nivelit qendror dhe lokal, por sigurisht edhe të gjyqtarët e prokurorët. Sipas tij, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve ndodh për shkak të ndryshimet të rrethanave juridike dhe institucionale dhe për shkak se ligji bazë është ndryshuar në rrethana të përshpejtuara për të zënë afatet ligjore, apo kur nuk është kryer ndonjë analizë e mirëfilltë për çështjet që trajtohen në ligj.  “E kuptojmë që nuk është obligim ligjor që të gjitha aktet të publikohen në Gazetën Zyrtare, mirëpo nuk është ndonjë pengesë ligjore që të publikohen ato, ngase palët, bizneset dhe qytetarët tjerë duhet ta dinë ku ti gjejnë ligjet”, tha ndër të tjera Oruçi, duke shtuar se në Kosovë gjithsej janë miratuar 480 ligje dhe mbi 85 amandamentime të ligjeve që nga viti 2000.

Ardian Bajraktari, Drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë tha se çështja e konsolidimit të legjislacionit është një çështje që duhet të adresohet. “Ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirëfillta me komisionin për legjislacion, pavarësisht ndryshimit te legjislaturave”, tha Bajraktari. Sipas tij, rekomandimet e dhëna në këtë raport është mirë që sa më parë të adresohen.

Agim Maliqi, gjyqtarë në Gjykatën Supreme, tha se ndryshimet që kanë ndodh në Ligjin për Këshillin Gjyqësorë kanë ndodhur si pasojë e rikonstukturimit të KGJK-së dhe KPK-së. “Problemi i ndryshimit të shpeshtë të ligjeve krijon pasiguri juridike te qytetarët dhe te zyrtarët, por njëkohësisht është edhe aspekti tjetër ku thuhet se ligjet korrigjohen duke u aplikuar ato, dhe shpeshherë duke e praktikuar një ligj ose nen e shohim problematikën në zbatimin e tij”, tha Maliqi.

Gëzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD, tha se kemi një ndryshim enorm të ligjeve pothuajse në të gjitha sferat, dhe është praktikisht problematike se në një rast te caktuar të gjendet se cila është norma pozitive dhe cila normë duhet të zbatohet. “Ndryshimi i madh i ligjeve dhe rregulloreve e bon pothuajse të pamundur një person laik te ketë qasje ne drejtësi. Ka raste kur vet gjyqtarët kanë pasur probleme për ta qartësuar një situatë, dhe për më tepër ndryshime i shpeshtë të ligjeve po obligon edhe ndryshimin e legjislacionit sekondar”, tha ndër të tjera Shala. Sipas tij, aspekti i ligjit më të favorshëm krijon jashtëzakonisht shumë probleme dhe ideja ne këtë rast është që duhet të kemi konsolidim të ligjeve në mënyrë që të ndryshoj logjika e zbatimit të ligjeve.

Lulzim Beqiri, Drejtor i Departamentit të Integrimeve Evropiane në Ministrinë e Drejtësisë, tha se Ministria e Drejtësisë është një ndër ministritë e vetme në rajon që deri më tani nuk ka pasur ndonjë njësi të veçantë për politika dhe analiza dhe si rrjedhojë asnjë politike që është hartuar nuk është bazuar edhe aq shumë në të dhëna statistikore dhe analitike.