home Qeverisje e mirë dhe qytetari aktive
Shqip English Login

Zyrtarët e lartë nuk dëshirojnë të paraqiten si MILIONERË

27 tetor, 2011

Prishtinë, 27 tetor 2011. Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Luftimi i konfliktit të interesit”, është përqendruar në fushën e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, fushë kjo shume e ndjeshme për këta zyrtarë, të cilët në shumicën e rasteve ngurrojnë që të jenë transparentë në deklarimin e pasurisë së tyre.

Photo

Foto-galeria e artikullit

Prishtinë, 27 tetor 2011. Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Luftimi i konfliktit të interesit”, është përqendruar në fushën e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, fushë kjo shume e ndjeshme për këta zyrtarë, të cilët në shumicën e rasteve ngurrojnë që të jenë transparentë në deklarimin e pasurisë së tyre. Si rezultat i punës së Lëvizjes FOL, sot është publikuar raporti “Deklarimi i pasurisë udhëheqësve të institucioneve kryesore publike për vitin 2010 dhe 2011”.

Në deklarimin e pasurisë së vitit 2011, është vërejtur qartë tendenca e zyrtarëve të lartë publikë që ta paraqesin si vit “shterpë” sa i përket pasurisë që posedojnë duke deklaruar rënie në pasurinë e tyre. Në këtë kontekst, drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, përmendi rastin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 del me rreth 1.4 milionë euro më i varfër se në vitin paraprak, e që sipas analizës së Lëvizjes FOL kjo “varfëri” vjen si rezultat i mosdeklarimit të drejtë të vlerave për pasuritë e njëjta të deklaruara për këto dy vite”. Gjithashtu, pasuria e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për vitin 2011 del se ka rënie për rreth 533 mijë euro, ku kjo rënie ka ardhur si rezultat i mos përputhjes së vlerave për pasuritë e njëjta të deklaruara. Krahasimi i pasurisë mes vitit 2010 dhe 2011 u bë edhe për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për këtë vit pasurinë e tij e ka deklaruar për rreth 100 mijë euro më pak në krahasim me vitin 2010. Për këtë rënie, Kryeministri Thaçi nuk ka dhënë sqarime për 100 mijë eurot e tij që nuk figurojnë te kategoria e kursimeve.

Për dallim nga këta zyrtarë, ky vit ka qenë më me fat për Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rašić, pasuria e të cilit është ngritur për rreth 200 mijë euro në krahasim me vitin 2010. Rast i ngjashëm, por me një rritje drastike të pasurisë, e ka paraqitur Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së, Sylejman Selimi, diferenca e pasurisë së të cilit është ngritur për rreth 100 mijë euro vetëm në vitin e fundit. 

Rast të veçantë përbën zëvendës kryeministri i parë, Behxhet Pacolli, i cili në vitin 2010, në mënyrë të paligjshme kishte kërkuar të mos i publikohej pasuria e tij.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, ku u publikua raporti “Deklarimi i pasurisë së udhëheqësve të institucioneve kryesore publike në vitin 2010 dhe 2011”, drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “është kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, që deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë publikë të verifikohen për saktësinë e tyre dhe rezultatet e verifikimeve të tilla të bëhen publike për qytetarët e Kosovës”. Ai më tutje shtoi se Lëvizja FOL do t’i dërgojë kërkesë edhe Prokurorisë së Kosovës, në mënyrë që të fillojnë hetimet rreth pasurisë së zyrtarëve të lartë.

 



komentet



FOL Photo
FOL
Abonohuni në FOL Email Newsletter
për të pranuar lajme në Inbox-in tuaj lidhur me
aktivitetet e vazhdueshme të Lëvizjes FOL.

FOLnewsletter